Një muaj luftë në Ukrainë, normaliteti i jetës tashmë është zhdukur

Nga A2 CNN
23 Mars 2022, 12:12 | Bota

Sarah Rainsford, korrespondente e BBC për Evropën Lindore, tregon për eksperiencën e saj pas një muaji raportim nga terreni i luftës në Ukrainë. E bindur, ajo shprehet se e ka ditur gjithmonë se çfarë ishte i aftë Putini të bënte, si dhe sa larg mund të shkonte. E pranishme në kohën e aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe për shumë vite edhe në Rusi, duke raportuar vrasjet dhe helmimet e opozitës, luftërat në Çeçeni dhe Gjeorgji, Sarah Rainsford u dëbua nga Rusia verën e kaluar, e konsideruar si një "kërcënim sigurie".

Sikurse edhe qytetarët e dy popujve që tashmë ndodhen në konflikt, edhe Rainsford ishte e sigurt se kjo luftë nuk do të ndodhte, madje vetë ideja dukej qesharake dhe absurde.... deri sa më 24 shkurt, një shpërthimi fatal ndryshoi rrjedhën e historisë së dy kombeve.

Kur filloi lufta, Nika – një 15-vjeçare nga Ukraina - u frikësua aq shumë saqë u ul në pianon e saj dhe luajti akorde të larta muzikore, për të mos dëgjuar zhurmën e tmerrshme të bombave. Nika është nga Kharkiv, dhe si shumë civilë të tjerë, u larguan menjëherë atë ditë drejt zonave të sigurta. “Mos ndizni asnjë dritë dhe mos përdorni shumë ujë të nxehtë”, këto ishin udhëzimet që jepeshin në strehën e bombave. Nika qëndroi atje disa net, por mezi flinte. Adoleshentja tha se mendimi i saj i parë çdo mëngjes ishte: "Faleminderit Zotit që jam gjallë!".

“Ne ishim në panik, duhej të fshiheshim, pasi jeta jonë ishte në rrezik. Ishte ftohtë, nuk kishim shumë ushqim. Tani kam frikë nga çdo tingull. Nëse dikush duartroket, trembem. Filloj të dridhem. Thjesht duam të kthehemi në vendin tonë. Duam paqe!"

Nika, një 15-vjeçare nga Ukraina

Kharkiv është vetëm 40 km nga kufiri rus. Shumica e njerëzve atje flasin rusisht si gjuhë të parë, jo ukrainisht, dhe kanë miq e të afërm në anën tjetër të kufirit. Kjo është arsyeja pse Vladimir Putin mendoi se trupat e tij mund të futeshin në Kharkiv dhe të merrnin kontrollin menjëherë... por me sa duket llogaritë e tij dolën jo shumë të sakta. Lufta që Rusia nxiti në Ukrainën lindore në vitin 2014, e kishte transformuar vendin dhe kishte krijuar një identitet shumë më të fortë kombëtar. Ndërsa tani që lufta ka shpërthyer, është shkatërruar çdo marrëdhënie vëllazërore. 

Në pak ditë, nga Kharkiv nisi një eksod i madh në drejtim të qyteteve të tjera, e më pas edhe në shtete të tjera. Mirëpo largimi nga vendi në kushte tilla, nuk është aspak i lehtë, sidomos për të sëmurët. Familjes së Polinës - një trevjeçare me kancer - iu desh të largohej urgjentisht nga Kharkiv, por qyteti ishte nën sulme të vazhdueshme ruse dhe ata nuk guxuan të dilnin jashtë. Granatimet nuk pushonin, ilaçet e Polinës po mbaronin dhe kështu që prindërit e saj u detyruan të bënin një ecje të rrezikshme nëpër qytet për në stacionin e trenit. 

"Pas katër ditësh rrugëtim, arritëm në Poloni. Jam e lehtësuar që fëmijët e mi janë të sigurt, por e gjithë jeta jonë ka mbetur në Kharkiv. Polina vazhdon të pyesë se ku është babi i saj dhe unë nuk di çfarë të them."

Mamaja e Polinës

Nga ana tjetër, propaganda ruse dhe censura e gjithanshme ka bërë që shumë rusë të mos e besojnë atë që po ndodh në Ukrainë, e madje nuk po besojnë as të afërmit e tyre që ndodhen përtej kufirit. Një çift nga Kharkiv tregon se të afërmit e tyre në Rusi refuzuan të besonin atë që u ndodhi. Çifti u dërgoi atyre foto të blloqeve të apartamenteve në Kiev të shkatërruar nga raketat ruse, si dhe banorët e vrarë nëpër rrugë. Por kushëriri i tij, i tha se imazhet ishin false. Ai fajësoi qeverinë "naziste" në Kiev dhe tha se ukrainasit po bombardonin veten... (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/03/10/jemi-deshmitare-te-nje-tragjedie-si-e-vrau-putin-shtypin-e-lire-te-rusise/

A2 CNN Livestream

Latest Videos