Selia qendrore e Organizatës së Kombeve të Bashkuara u rrethua nga forca të shumta policie, pasi një burrë me një shotgun në dorë shkaktoi panik në zonë.
Burri, i identifikuar si një 60-vjeçar nga Florida, u përball me efektivët e policisë së Nju-Jorkut për gati tre orë, për t’u dorëzuar më pas paqësisht. Policia tha se ai kishte me vete edhe disa dokumente që donte t’i dorëzonte në OKB. Policët thanë se pushka e tij ishte e mbushur. Policia tha se personi që shkaktoi panikun nuk kishte precedentë penalë.
Efektivët u përpoqën të flisnin me të moshuarin, i cili në disa momente drejtoi pushkën nga vetja, për të shmangur ndonjë incident tragjik.
Shefi i operacioneve speciale në policinë e Nju-Jorkut, Harry Wedin, tha se incidenti nuk kishte lidhje me terrorizmin. “Pas disa orësh negociata, efektivët e njësisë speciale morën dokumentet që ai kishte dhe i dorëzuan në selinë e OKB-së. Më pas, ai uli armën dhe u arrestua”. (A2 Televizion)