Një vit nga Konferenca e Donatorëve, Mariani: Grantet janë vënë në zbatim. BE është këtu

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2021, 09:50 | Politikë
Një vit nga Konferenca e Donatorëve, Mariani: Grantet janë

Ndërkohë që ka kaluar një vit nga Konferenca e Donatorëve në Bruksel për rindërtimin, shefi i bashkëpunimit në BE, Mario Mariani, tregoi se ku janë aplikuar fondet e Bashkimit Evropian. I ftuar në “Dita jonë” ai theksoi se 115 milionë euro grante janë për arsimin edhe trashëgiminë kulturore.

“Janë 115 mln euro në grante, 100% donacione në dy fusha; arsimi dhe trashëgimia kulturore 75 milionë euro për arsimin dhe 40 milionë për trashëgiminë kulturore”.

Mariani tha se koncepti europian është të nxënit dhe ndërtimi i shoqërisë, dhe në këtë këndvështrim ai theksoi se aktualisht po punohet për 18 shkolla e kopshte, ndërkohë që për 3 muaj do të kemi 7 të tjera dhe 6 të tjera do të nisin punimet.

“Për momentin po punohet në 18 shkolla, disa janë qendra kopshte e mensa, në 18 vijojnë punimet dhe për 3 muaj do kemi edhe 7 të tjera dhe 6 të tjera që do të nisin punimet. Kemi kapur ritmin dhe do t’i intensifikojmë. Ne, bashkë me qeverinë, kemi hartuar dëmet dhe ndikimin e dëmeve te fëmijët, nxënësit, mësuesit dhe në aspektin e rëndësisë së investimit në shkolla që presin një të ardhme më të mirë për Shqipërinë. Kjo është pjesë e asaj që ne jemi; koncepti i të nxënit gjatë gjithë jetës është evropian dhe fakti që janë thelbësore për të ndërtuar një shoqëri”.

Sipas Marianit, reagimi i parë duhet të vijë nga sistemi kombëtar, ndërkohë që ndërkombëtarët luajnë rol themelor duke ofruar burime financiare dhe standarde europiane. Për shkollat, tha ai, është thelbësore të ndërtohen nga e para që t’u rezistojnë katastrofave.

"Reagimi i parë duhet të vijë nga sistemi kombëtar, kemi partneritet me mbrojtjen civile, ndërkombëtarët mund të luajnë rol themelor, duke ofruar burime financiare shtesë, standarde europiane dhe qasje të ndryshme."

Shefi i Bashkëpunimit Europian thekson se BE u fokusua te trashëgimia kulturore, sepse pasojat që mund të shkaktojë janë të rënda dhe kanë të bëjnë me identitetin kombëtar.

“Kemi parë pasojat në trashëgiminë kulturore që mund të jenë të rënda sa i takon identitetit, pasi janë rrënjët e shoqërisë. Menduam që ishte e rëndësishme për qytetarët shqiptarë e turistët, por edhe të ruajë trashëgiminë në mbarë Evropën”.  

I pyetur se si po ecën procesi i Rindërtimit në vendin tonë, Mariani u shpreh i befasuar pasi mbi 100% e granteve të BE-së janë vënë në zbatim.

“Po shohim se ku jemi me procesin, më la përshtypje se 100% e granteve janë shndërruar në realitet. Më shumë se 100% e granteve të premtuara nga BE po zbatohen dhe të gjitha grantet që janë dhënë në Bruksel”.

I pyetur për pakënaqësinë ndaj BE-së në lidhje me vaksinat, Mariani thotë se Bashkimi Evropian i është përgjigjur Shqipërisë sa herë që ka nevojë, teksa përmend grantet për tërmetin dhe pajisjet mjekësore për pandeminë.

“Është gjëja e fundit, që BE ka braktisur Shqipërinë. Nuk ka asnjë ndjesi braktisjeje, nga niveli politik i mbështetjes, si dhe bashkëpunimit se Shqipëria kaloi dy kriza të mëdha tërmeti, pandemia dhe karantinimin. Folëm për tërmetin dhe Covid-in, dhamë fonde për pajisje mjekësore dhe mbështetëm për të ndryshuar pasojat e pandemisë. Sa herë që ne shohim që Shqipëria ka nevojë, ne përpiqemi me forcat tona për të reaguar”.

Dhe në fund, Mariani lëshoi mesazhin e fortë që Bashkimi Evropian është këtu dhe po punon për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si dhe po bashkëpunon me autoritetet.

“Mesazhi ynë është që ne po punojmë me administratën shqiptare dhe Shqipëria do të jetë anëtare e BE, kjo është një punë e përditshme. BE po punon për gjëra të rëndësishme në të gjithë vendin me autoritetet qendrore e vendore”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/02/17/nje-vit-nga-konferenca-e-donatoreve-soreca-rendit-arritjet/

A2 CNN Livestream

Latest Videos