
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso reagoi pas vendimit të Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve që hoqi gjobën ndaj kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për organizimin e disa aktiviteteve që ndalohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas Ivi Kaso, me këtë vendimmarrje KAS shkeli ligjin dhe humbi mundësinë për të qenë një strukturë që garanton barazinë në zgjedhje.
“Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) humbi sot mundësinë për të qenë një strukturë në funksion të garantimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Sot me një vendimarrje të paprecedent, 3 anëtarët e KAS kanë shkelur rëndë besimin se mbi interesin e partisë në pushtet qëndron ligji dhe vetë rregullat e sanksionuara nga KQZ.
Vendimet antiligjore të 3 anëtarëve të KAS bien ndesh me standartin e OSBE për ndarjen e shtetit nga partia, duke justifikuar përdorimin e funksionit publik nga Erjon Veliaj për interesa të Partisë Socialiste.
Partia Demokratike dënon këtë akt të paligjshëm të 3 anëtarëve të KAS, që cënon rëndë standardet e barazisë së palëve në zgjedhje”, shkruan Kaso. (A2 Televizion)