
Fill pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 prokuroritë e Durrësit, Krujës dhe Tiranës nisën hetim ndaj më shumë se 60 personave në total, që dyshoheshin si përgjegjës për pasojat e tij.
Një vit më vonë, asnjë prej tyre nuk është përballur me drejtësinë, ndërsa vetëm një person qëndron në qeli. Shumë prej tyre provuan edhe prangat në kyçe, por në pak javë fituan lirinë.
Më 20 nëntor Prokuroria e Durrësit mbylli hetimin dhe dërgoi si të pandehur 16 persona, mes të cilëve ish-funksionarë publikë të Aluizni-t apo Inspektoriatit Ndërtimor, ndërtues, kolaudues dhe pronarë të godinave të shkatërruara. Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”, “ndërtim pa leje” dhe “vrasje nga pakujdesia”, vepra më të lehta sesa dyshimet e ngritura në fillim të hetimit. Prej tyre, në paraburgim qëndron vetëm Ramiz Shehu, personi që ndërtoi shtëpinë e familjes Lala, shembja e së cilës i mori jetën 8 personave. Koha prej 1 viti nuk ka mjaftuar për Prokurorinë e Krujës për të çuar ndonjë të dyshuar në gjykatë.
Në prag të mbylljes rezulton të jetë hetimi për 8 persona, mes të cilëve funksionarë të bashkisë Krujë, të dyshuar për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Ata kanë marrë në dorëzim të parakohshëm shkollën “Ramazan Jangozi”, kur rezulton se janë bërë vetëm riparime të dëmeve të tërmetit të shtatorit 2019 dhe jo ndërhyrje që garantonin godinën.
Ndërsa, për dy pallatet e shembura në Thumanë, ku humbën jetën 22 persona, Prokuroria nuk ka emra të përgjegjësve. Përveç mbledhjes së disa dokumeteve dhe dëshmive prokuroria është në pritje të akt-ekspertimit teknik ndërtimor, që siç duket i duhet më shumë se 1 vit kohë për t'u përgatitur.
Me hapa të ngadaltë ka hetuar edhe Prokuroria e Tiranës, që ngriti dyshime mbi 42 persona, ish-funksionarë vendorë, inxhinierë, ndërtues, kolaudatorë dhe pronarë objektesh. Deri më tani, është dërguar vetëm një person në gjyq, për tre të tjerë është pushuar hetimi, ndërsa për 38 vetë pritet mbërritja e akt-ekspertimeve teknike mbi cilësinë e hekurit dhe betonit të përdorur në objektet e dëmtuara nga tërmeti. (A2 Televizion)