
Një vit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, Durrësi vazhdon të përjetojë ende dhimbje dhe pasoja nga ajo tragjedi.
Plagët e tërmetit janë ende të dukshme në shumë godina, ndërsa në shumë të tjera ka nisur puna për riparimin dhe rindërtimin e tyre. Por, si ka ecur puna sa i takon rindërtimit të objekteve, kujt i është dhënë përparësi dhe në ç’fazë ndodhen punimet?
Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Durrësit jep këto përgjigje: “Janë 458 objekte të cilat janë aktualisht në zbatim. Në total, do të jenë 615 objekte që në fund të janarit do të kenë mbaruar plotësisht. Brenda vitit, do të hapen 12 shkolla dhe janë 31 objekte për rindërtim”.
Zonja Sako jep shifra edhe sa i takon rindërtimit të banesave individuale: “Nga 1024 objekte që kemi të miratuara, 430 janë në zbatim. Në objektet që kanë avancuar më shumë, do të dorëzojmë çelësat te familjarët”.
Me shpresën që këto deklarata të përkthehen realisht në objekte të rindërtuara, pjesa dërrmuese e banorëve të prekur nga dëmet e tërmetit duhet të bëjnë ende durim për t’u rifutur në banesat e tyre. (A2 Televizion)