Të gjithë e kujtojnë mëngjesin e 17 shkurtit të vitit 2008, një ditë aq shumë e mirëpritur për Kosovën, por edhe të gjithë shqiptarët kudo ndodhen. Gati një dekadë nga përfundimi i luftës dhe tërheqjes së forcave ushtarake serbe, me ndihmën e atyre që sollën çlirimin, Kosova shpalli Pavarësinë. Ishte një mëngjes i ftohtë, por që askënd nuk e pengoi të dalë për të festuar. Një vendim i koordinuar i SHBA me shtetet më të rëndësishme të BE-së, por edhe disa fqinj, që bënë edhe njohjen e parë të shtetit më të ri. Ky hap u çimentua edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që konstatoi 2 vite më pas, në vitin 2010, se pavarësia e Kosovës “nuk binte ndesh me ligjin ndërkombëtar”. Por, ky rrugëtim i shtetit më të ri nuk ka qenë i lehtë në këtë një dekadë e gjysmë. Njohje që vijuan, një stopim i tyre më pas dhe deri tek faza e fundit, ajo e çnjohjeve, pas një fushate që ka ndërmarrë Serbia. Por, çfarë ishte e rëndësishme në koordinimin e shteteve kryesore në njohjen e pavarësisë së Kosovës, 15 vite më parë? Politologu dhe pedagogu i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ilir Kalemaj, një bashkëpunëtor i A2 CNN, analizon dhe sjell fakte në këtë material. (A2 Televizion)
Njohjet dhe çnjohjet e Pavarësisë. 15 vitet e rrugëtimit të shtetit të Kosovës, ecje dhe ngecje
