Nobelistët e "papranuar"

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2020, 10:32 | Kulturë
Nobelistët e "papranuar"

Kur një Nobelist e kemi përkthyer më herët, përkthyesin e vlerësojmë për shijen që na ka ofruar, por, kur bëhet fjalë për autorë që nuk duam t’i lexojmë në gjuhën tonë, papritur, përkthyesi bëhet i keq. Shembull këtë vit kemi pasur botimin e nobelistit Handke që ishte përkrahës i Milosheviçit apo edhe botimin e nobelistit Knut Hamsun që mbështeti ideologjinë naziste.

A2 CNN sjell në këtë takim për letërsinë mendimin e botueseve guximtarë.

Hamsun e Handke nuk janë të vetmit të papranuar nga shqiptarët. Ivo Andric, një tjetër autor serb që ka fituar çmimin Nobel ka qenë më herët i përjashtuar nga disa lexues shqiptarë, sepse shkrimet e tij se si duhej ndarë Shqipëria dhe shqiptarët, përcaktimi i kufijve që rrëfente ai botërisht e ka bërë atë të padëshiruar për lexuesin shqiptar.

Ivo Andric ishte një shkrimtar, intelektual, por edhe një  shërbyes i regjimit të Jugosllavisë së vjetër. Ky shkrimtar sot akuzohet edhe si një mbështetës i nazizmit, pasi ka shërbyer si ambasador i Jugosllavisë në Gjermaninë naziste. Madje edhe takimet e tij me diplomatët italianë në kohën e fashizmit e tij e bënin atë, shkrimtarin me bindje antishqiptare. Andric ka shkruar se mendon që Shqipëria duhet zhbërë, në mënyrë që ish- Jugosllavia të marrë territor e dalje në det, ndërsa Italia të përfitojë sa më shumë nga kjo ndarje e re që i duhej bërë Shqipërisë.

Ideja e tij ishte të shpërngulte shqiptarët myslimanë për në Turqi, të asimilonte shqiptarët katolikë, siç ka vepruar Greqia në Çamëri, dhe të përçante shtetin e krijuar. Në vitin 1961, mori edhe Çmimin Nobel, por ende sot, në Kosovë që nga koha ku Ibrahim Rugova kërkoi që ai të mos lexohej në shkolla, Andric nuk është në kurikulat mësimore. As në Shqipëri. E megjithatë, Andric është përkthyer, sepse guximi nuk ka munguar.

"Të gjitha shtëpitë botuese, kryesisht iniciativa private, lindën për t’i dhënë fjalës së lirë vendin e vet. Pra u përpoqëm që në kolanat tona të mos kishim vetëm libra të pranueshëm për moralin tonë, por pse jo edhe libra provokues. Kërshëria e lexuesve shqiptarë ishte për të lexuar këdo, në respekt të Kushtetutës“, tregon botuesja Irena Toçi.  

Hamsun vlerësohet nga akademia suedeze për stilin e të shkruarit, çka u përcoll edhe te shkrimtarët e mëvonshëm .

“Për punën e tij influencuese, ku me gjuhën e tij të pasur ka eksploruar periferinë edhe eksperienca të veçanta njerëzore”. Ky ka qenë motivacioni që shoqëroi në akademinë suedeze triumfin e Handkes. Këtë autor, shqiptarët kishin mundësi ta njihnin edhe pa çmim përmes veprave “Mëngjarashja”, botuar nga Aleph, dhe romanin “Një brengë përtej ëndrrave”, nga Dituria.

Vetë botuesi i Handkes në shqip, Petrit Ymeri, premton që shumë shpejt lexuesi do të ketë edhe një tjetër vepër letrare të këtij autori, përkthyer nga Jonila Godole. Ajo çka nuk do të botojë Dituria është eseja e Handkes që ka grimca të pikëpamjes së tij politike.

“Ne duhet ta kemi Handke të përkthyer, dhe të përkthyer mirë, në mënyrë që të ndajmë shkrimtarin në periudhën e tij të shkëlqyer, nga shkrimtari që merret me politikë, edhe në mënyrë të gabuar, siç ka ndodhur edhe me të tjerë”, thotë përkthyesja Jonila Godole.  

Këta lexues skeptikë të këtyre autorëve janë po prapë disa prej atyre që kanë trumbetuar se edhe kandidati i përhershëm i Shqipërisë për Nobelin, Ismail Kadare nuk e meriton ta fitojë këtë trofe për letërsinë. Sepse marrëdhëniet e tij me diktatorin dhe përkëdhelja e një shkrimtari nga një regjim komunist duket sikur ka përlyer figurën e tij politikisht.

Përtej bindjeve politike, prej vitesh, në të gjithë botën librat e shkruar nga këta gjeni të fjalës kanë treguar se veprat artistike janë shumë më lart se bindjet e tyre politike. Se ata mund të kenë qenë të detyruar apo të përfshirë në një atmosferë politike për të cilën mund të jenë penduar apo jo më vonë. E vërteta është që vepra e këtyre shkrimtarëve ka qëndruar e kristaltë, edhe pasi regjimet që ata mbështesnin kanë rënë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos