
Aktori me origjinë skoceze, Sean Connery, i cili njihej ndërkombëtarisht për dekada me radhë si ikona seksi e agjentit britanik James Bond, ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare.
Connery do të mbahet mend si aktori që “pushtoi” ekranin dhe Hollivudin për më shumë se 4 dekada, në epokën më të artë të filmit dhe teatrit.
“Me hidhërim mësova për ndarjen nga jeta të Sir Sean Connery. I gjithë kombi ynë është në zi për këtë humbje të madhe”, tha kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon.
“Sean ishte një legjendë për mbarë botën, por së pari dhe mbi të gjitha, ishte një patriot dhe nder i Skocisë” u shpreh ajo.
Lindur më 25 gusht të vitit 1930, Sean Connery e nisi karrierën me rolin kryesor në filmin “Let’s make up”, por famën e siguroi me rolin e agjentit sharmant e seksi, si protagonist kryesor në filmin James Bond, si i pari agjent 007. Pas këtij roli, ai do të rrëmbente dhjetëra çmime e do të sigurontë pjesëmarrje në filma legjendarë.
I përshkruar si mashkulli më seksi në botë nga revista People në vitin 1989, aktori skocez u shpall “kalorës” nga mbretëresha Elizabetë në vitin 2000, dy vite pasi iu mohua ky nder për shkak të nacionalizmit të tij të zjarrtë skocez.
I gjatë, një kavalier i shquar dhe me një zë të plotë që i nxirrte në pah edhe personalitetin e tij, Sean luajti disa herë rolin e agjentit Bond dhe fitoi një “Academy Award” në vitin 1988, për portretizimin që i bëri një polici të Çikagos në filmin “"The Untouchables".
Por, për miliona fansa të filmave të tij, Connery do të mbahet mend gjithnjë si agjenti britanik 007, karakteri i krijuar nga nobelisti Ian Fleming dhe i përjetësuar përgjithnjë nga Connery, fillimisht me pjesëmarrjen në filmin “Dr. No”, kur ai ishte vetëm 32 vjeç dhe në fillimet e karrierës.
Në vitin 1983, vetë Connery e përshkroi filmin e James Bond si të suksesshëm falë vendeve të mrekullueshme ku skenat xhiroheshin, historive të mira, karaktereve interesante, siç ndodh në historitë me spiunazh dhe vendxhirimeve ekzotike.
Falë historisë, por kryesisht pjesëmarrjes së aktorit skocez në film, “Dr.No” siguroi fitime spektakolare nga shitjet e biletave në kinema, me arkëtime në atë kohë prej qindra miliona dollarësh, pas shfaqjes në më shumë se 50 shtete të botës.
Fill pas suksesit në filmat e njëpasnjëshëm të James Bond, Sean Connery u shndërrua në aktorin më të famshëm e më popullor në Mbretërinë e Bashkuar, në mes të viteve ’60, duke tërhequr njëkohësisht edhe vëmëndjen e regjisorëve të famshëm të Hollivudit, po në ato vite. Ai luajti dhe portretizoi karaktere të ndryshme në 7 filma.
Por, Connery ishte një tjetër natyrë e James Bondit që ne njohim sot, me historikun e tij të pacenueshëm social dhe me njohjen e sofistikimin që kishte me verën dhe femrat.
Lindur e rritur në një qytezë shumë pranë Edinburgut, Connery nuk tentoi kurrë që të ndryshojë as të folurën e as theksin me të cilin ishte rritur. Mbeti deri në fund të jetës një besnik e adhurues i koktejleve të agjentit Bond, vodka dhe martini.
Thomas Connery, që ishte edhe emri i tij i lindjes, ishte më i vogli i dy djemve të familjes Connery, me baba shofer kamioni e nënën që punonte në një pastrim kimik. Ai e la shkollën që në adoleshencë dhe punoi në disa profesione, madje edhe në fabrika. Në moshën 16-vjeçare, dy vjet pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, Connery zgjodhi t’i bashkohet Marinës Mbretërore, ku shërbeu për tre vjet si një marinar i thjeshtë. Dhe këtë ai e urrente.
Më pas, nisi punë si me magji si vrojtues në një plazh të Skocisë dhe nga aty jeta e tij ndryshoi. Fati e njohu me një mik që i kërkoi t’i bashkohet në korin e “South Pacific”, që do të ngrihej në një skenë amerikane. Sean mori për vetëm 48 orë leksione kërcimi dhe këndimi.
“U rrita pa patur asnjë nocion për fjalën karrierë, aq më tepër për aktrimin. Sigurisht që nuk e kisha menduar kurrë. Gjithcka ishte e rastësishme”, ka deklaruar Connery.
Ai luajti role të vogla, gati të papërfillshme, në repertore të kompanive të ndryshme amerikane, përpara se të rritej, aq sa për të siguruar vite më vonë role në filma të Hollivudit e televizion. Vendosi të heqë dorë e të bëjë një pushim në fillim të viteve ’60 pasi ndihej i thyer në këtë terren të vështirë, pas rolit jo fort të suksesshëm në dramën televizive “Requiem for a Heavyweight”.
Sërish rastësia bëri që ai të listohej i pari në një anketë të hartuar nga një gazetë, ku qytetarët pyeteshin se cilin shihnin si mashkullin ideal për të luajtur rolin e një agjenti britanik, që do të quhej James Bond. Ai ishte i pari. Njerëzit ende e mbanin mend. Ai siguron një intervistë me producentët Harry Saltzman dhe Albert "Cubby" Broccoli dhe menjëherë siguroi një kontratë dhe firmosi për të qenë personazhi kryesor në filmin “Dr.No”.
Filmi ishte një hit i padiskutueshëm. Kushtoi më pak se 1 milion dollar për t’u realizuar dhe arkëtoi 22 milionë. Pas këtij roli, ai siguroi kontrata të majme në filmat "From Russia With Love", "Goldfinger", "Thunderball" dhe "You Only Live Twice".
"Goldfinger", një film fantazi për një bastisje në Fort Knox, ishte po ashtu i suksesshëm, duke arkëtuar 10 milionë dollar vetëm në 3 muajt e parë pas shfaqjes në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.
Connery u shqetësua se mos ndoshta po i linte regjisorëve dhe publikut përshtypjen se ai mund të luante vetëm filma aksion dhe vendosi që të bëjë një pushim për një periudhë të pacaktuar. Kështu, aktori australian George Lazenby u përzgjodh për të luajtur rolin e James Bond në filmin e radhës "On Her Majesty's Secret Service".
Por, pa Connery, filmi nuk pati suksesin e pritur, ndaj ai u rikthye për serinë e radhës, në vitin 1971, për xhirimet e "Diamonds Are Forever,", që pa asnjë dyshim arriti fitime marramendëse, aq sa ai të fitojë dashurinë e skocezëve e britanikëve.
Edhe këtë herë tha se ky do të ishte filmi i tij i fundit Bond.
12 vite më vonë, në moshën 53-vjeçare, Connery u rikthye sërish në rolin e agjentit britanik në filmin "Never Say Never Again", një prodhim i pavarur që shkaktoi zemërimin e mentorit të tij të vjetër Cubby Broccoli.
Por, përpos profilit e kostumit të James Bond, Connery pati një karrierë të pasur, si protagonist kryesor në filmat "The Hill" (1965), "The Man Who Would Be King" (1975), "Outland" (1981), "The Name of the Rose" (1986), "Indiana Jones And The Last Crusade" (1989), "The Russia House" (1990), "The Hunt for Red October" (1990) dhe në 2000, në moshën 70-vjeçare, luajti në filmin aq shumë të vlerësuar "Finding Forrester".
Connery u martua me aktoren Diane Cilento në vitin 1962, por çifti u divorcua 11 vite më parë, me Diane që fitoi kujdestarin për djalin e tyre Jason, sot po ashtu aktor. Më pas, Sean u martua me francezen e divorcuar më herët, Micheline Roquebrune, të cilën e njohu gjatë një loje golfi në vitin 1975. Të dy kishin shtëpi në resortin spanjoll të Marbejës dhe në Bahamas.
Edhe pse i famshëm, tashmë i njohur edhe për temperamentin e tij gjaknxehtë, Connery do të shfaqej për vite me radhë një mashkull modest dhe me jetë normale. Ndiqte kurse golfi dhe mbrëmjet i kalonte me familjen apo miqtë, duke mos e kaluar kurrë në linjën e skandaleve mediatike.
Një mbështetës i zjarrtë i Partisë Kombëtare Skoceze, sot partia që qeveris vendin, Connery ishte një zë i fuqishëm i fushatës për një Skoci të pavarur. Përpara referendumit për pavarësinë e Skocisë në vitin 2004, Connery shkroi një artikull pasionant në një revistë britanike, “the New Statesman”, në favor të një vote PRO.
"Padyshim, roli i James Bond ishte shumë i rëndësishëm sepse tërhoqi tek unë vëmëndjen e mbarë botës dhe më futi në një treg krejt tjetër”, thonte Connery. (A2 Televizion)