
E drejta e autorit ka qenë gjithnjë një debat me shumë zëra, këtë dekadë. Artistët marrin pak, e thuajse aspak ata që nuk e kuptojnë këtë debat dhe hallkat nëpër të cilat duhet të kalojë shpërblimi i tyre.
Një dëgjesë publike për të drejtën e autorit ka përfunduar gjithnjë kështu, një kakofoni nga ku vështirë të kuptosh ku çalon dhe kush është përgjegjësi për shpërblimet qesharake të artistëve.
Sot artistët shqiptarë kanë mundësi të nënshkruajnë kontrata me 3 agjenci që mbledhin të ardhurat nga përdorimi i materialeve të këtyre krijuesve. Këto agjenci kanë qenë katër, por me kontrollet që Ministria e Kulturës ka bërë është zbuluar se një prej tyre abuzonte.
Kësaj agjencie i është hequr licenca, e kështu ka lindur kërkesë për dëgjesa publike të këtilla ku vetë artistët të informohen për punën e agjencive, çka sipas ministrisë kanë abuzuar me të drejtën e autorëve.
Sipas ministes Margariti diskutimet për rolin e një sporteli unik për administrimin e të drejtës së autorit do të mund të ishte zgjidhja më e mirë, por vetë artistët ndihen disi skeptikë për rolin e këtij institucioni.
Pritet që debati i nisur sot të vijojë me agjencitë dhe artistët për më shumë se një muaj deri sa të behën të tjera ndryshime në aktet ligjore. (A2 Televizion)