Normalizimi i marrëdhënieve Izrael-Palestinë, dekada të tëra tentativash të dështuara

Nga A2 CNN
19 Shtator 2020, 14:24 | Bota
Normalizimi i marrëdhënieve Izrael-Palestinë, dekada të

Vendimi i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, pason një histori të gjatë tentativash për paqe mes Izraelit, Palestinës dhe aleatëve të tyre arabë, që nuk kanë arritur të kalojnë përtej dekadash mosbesim dhe dhunë. Shumë nga vendet arabe nuk e kanë njohur ende Izraelin,  nuk kanë marrëdhënie diplomatike apo ekonomike, kjo për shkak të mënyrës se si ata e shohin Izraelin për aspiratat e Palestinës për një shtet më vete.

Kanë qenë të shumta tentativat për të vendosur paqen në Lindjen e Mesme, që nga lufta e 1967-ës kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, gadishullin Sinai, Rripin e Gazës dhe Lartësitë Golan.

1967 – Rezoluta 242 e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara 

Pas luftës 6-ditore, nëpërmjet Rezolutës 242 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara , bëhej thirrje për tërheqjen e forcave të armatosura izraelite nga territoret e okupuara në konfliktin e fundit, në këmbim, të gjitha shtetet në zonë do të respektonin sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e njëri-tjetrit. Kjo rezolutë është themeli për shumë iniciativa paqësore, por shprehja e saj e pasaktë - është referenca në të gjitha territoret apo vetëm disa? - komplikoj përpjekjet e ardhshme për dekada.

1978 – Marrëveshjet e Camp David

Kryeministri izraelit Menachem Begin dhe presidenti i  Egjiptit Anwar Sadat, u dakordësuan për një marrëveshje për paqen në rajon, çka kërkonte nga Izraeli që të tërhiqej më faza nga gadishulli Sinai në Egjipt dhe një qeveri kalimtare palestineze në Bregun Perëndimor dhe në Gaza.

1979 – Traktati i paqes Izrael-Egjipt

Traktati parë i paqes mes Izraelit dhe një vendi arab, përcaktonte tërheqjen e plotë të Izraelit nga gadishulli Sinai brenda 3 vitesh. Në 1981, Sadat u ekzekutua nga revolucionarët islamikë që kundërshtonin marrëveshjen.

1991 – Samiti Madridit

Përfaqësuesit e Izraelit dhe Organizatës Çlirimtare Palestineze mbajtën një konferencë për paqen. Nuk u arrit asnjë marrëveshje, por u krijua terren për kontakte të drejtpërdrejta. 

1994 – Marrëveshja Izrael-Jordani

Jordania bëhet shteti i dytë arab që nënshkruan një traktat për paqe me Izraelin. Por traktati nuk është popullor ndërsa Jordania është e përfshirë nga ndjenjat pro-palestineze.

1993-1995 – Deklarate e Principeve (akordi i Oslos)

Izraeli dhe Organizata Çlirimtare Palestineze, zhvilluan bisedime sekrete në Norvegji, që prodhoi një marrëveshje të përkohshme për paqe, çka kërkonte vetëqeverisje të Palestinës dhe ngritjen e një këshilli të zgjedhur në Bregun Perëndimor dhe në Gaza për një periudhë 5-vjeçare, tërheqjen e Izraelit dhe negociata për një zgjidhje të përhershme.

2000 – Samiti Camp David 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Clinton, bëri bashkë liderin palestinez Yasser Arafat dhe kryeministrin izraelit Ehud Barak. Ata dështuan të arrijnë një marrëveshje. Pas kësaj, pasoi një tjetër kryengritje palestineze.

2002-2003 – Deklarata e Bush, iniciativa arabe për paqe

George W. Bush bëhet presidenti i parë Amerikan i cili kërkon krijimin e shtetit të Palestinës, duke jetuar krahë për krahë me Izraelin në paqe dhe siguri.

2002 – Plani i Ligës Arabe

Arabia Saudite paraqet planin e paqes të miratuar nga Liga Arabe për tërheqjen e plotë të Izraelit nga territoret e okupuara dhe pranimin e shtetit të Palestinës, në këmbim të marrëdhënieve normale me vendet Arabe. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Rusia paraqesin hartën e tyre rrugore për një zgjidhje të përhershme mes dy shteteve në konflikt.

2007 – Samiti i  Anapolis 

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas dhe kryeministri izraelit Ehud Olmert, dështuan të arrijnë një marrëveshje në samitin e organizuar nga Shtetet e Bashkuara. Më vonë kryeministri izraelit, Olmert, deklaroi se ata ishin shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje, por një hetim i nisur mbi të dhe luftës në Gaza, rrëzoi çdo marrëveshje.

2009 - Fjalimi i Netanyahut në universitetin e Bar-Ilan

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se ishte i gatshëm për një marrëveshje paqeje, që përfshinte demilitarizimin e shtetit palestinez. Ai vendosi edhe një kusht tjetër: njohjen e Izraelit nga Palestina, si shteti i popullit hebre.

2013-2014 – Bisedimet e Paqes në Washington

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry bashkëpunon me izraelitët dhe palestinezët për rifillimin e bisedimeve. Ata dështuan, dhe u ndërprenë në prill të 2014-s

Qershor 2019 – Plani ekonomik i Trump

Faza paraprake e planit të Trump për Lindjen e Mesme, u lancua në Bahrein nga dhëndri i Trump, Jared Kushner. Sipas këtij plani nevojitet një qasje që vë ekonominë të parën, duke kërkuar një investim prej 50 miliardë dollarësh për të forcuar ekonominë Palestineze dhe atë të vendeve arabe fqinje. Krerët palestinezë refuzuan.

2019 - Netanyahu dhe aneksimi

Netanyahu deklaron se ka në plan të aneksojë vendbanimet e Bregut Perëndimor dhe pjesën më të madhe të Luginës së Jordanit nëse fiton zgjedhjet. Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo mbështet në mënyrë efektive të drejtën e pretenduar të Izraelit për të ndërtuar vendbanime hebraike në Bregun Perëndimor të okupuar duke braktisur një pozicion të vjetër katër dekadash të SH.B.A. se ata nuk ishin në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Shumica e vendeve ende i konsiderojnë ato si të paligjshme.

Janar 2020 - zbulohet plani i Trump

Presidenti Trump zbulon planin e tij për Lindjen e Mesme, krah kryeministrit izraelit Netanyahu, që i njihte Izraelit sovranitetin mbi vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe i kërkonte palestinezëve që të plotësonin kushtet e vështira për njohjen e shtetësisë. Ata e kundërshtuan, duke e quajtur një aneksim “de facto”.

Gusht 2013 - Marrëveshja surprizë

Trump shpall marrëveshjen surprizë të normalizimit të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Zyrtarët arabë thonë që marrëveshja shmang aneksimin e Bregut Perëndimor, por Netanyahu thotë që vetëm sa e pezullon përkohësisht.

11 shtator 2020 - Normalizimi me Bahreinin

Bahreini pranon marrëveshjen për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, duke thënë që rrit stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit, në një deklaratë të përbashkët me Izraelin në Shtetet e Bashkuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos