
Ardit Bido, drejtori i përgjithshëm i Arkivës së Shtetit, në “Intervistë” me Merita Haklajn, në A2 CNN, u shpreh se me kalimin e kohës, “kufizimi që i kemi bërë Arkivës për të qenë brenda korrektes politike, brenda seriozes, brenda kornizave të frymëzimit thjesht politik, po eliminohet nga hapësira e re multifunksionale e saj që nuk është vetëm muze”.
“Është edhe sallë edukimi, sallë konferencash apo kinema. Këtu ka shkolla gjatë gjithë vitit, vijnë në mënyrë të organizuar. Rëndësi ka shumë infrastruktura e adaptueshme. Kanë rëndësi kanalet e komunikimit me të cilat duhet të shkosh te rinia, që është e lindur në periudhën digjitale. Ne themi “rinia lexon më pak”. Nuk është e vërtetë, rinia lexon më pak libra, por lexon më shumë se çdo brez tjetër. Ne masim me mediumin e gabuar, ndërkohë që duhet t’i shkojmë brezit të ri me mediumin e tij. Ne duhet të krijojmë hapësirën për infrastrukturën e adaptueshme dhe kanalet e komunikimit për të shkuar te mediumi që funksionon”, shpjegoi Bido.
“Kur na vijnë nxënës në Arkivë, habiten. Po i more dhe i the që kjo dosja këtu ka 300 fletë dhe është dokument shumë i rëndësishëm, ata do të thonë “ç’më duhet mua kjo çmenduri?”. Po i tregove thelbin në forma të ndryshme kreative, ata do ta kuptojnë. Rinia e sotme është e vetmja rini normale që ka pasur ky vend. Duke qenë se është rinia më normale, nuk pranon as budallallëqet dhe në këtë mënyrë kthehet në indiferente. Jemi ne që duhet ta thyejmë këtë indiferencë. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nuk është ende në TikTok. Është një sfidë që ne e kemi. E di që do të dalin plot njerëz dhe do të thonë “ja, këta që e futën në TikTok”, por ndërkohë si do ta ndjekësh audiencën e re? Departamenti Amerikan i Shtetit ka llogari zyrtare në TikTok dhe Snapchat”, theksoi më tej Bido. (A2 Televizion)