Kriza në Venezuelë ka bërë që në farmaci të ketë mungesë ilaçesh dhe për këtë arsye njerëzit kanë nisur të kërkojnë kura alternative.
Federata e Farmacive ka bërë të ditur se në farmaci dhe spitale ka vetëm 20% të ilaçeve të nevojshme për popullatën dhe opozita thekson se nga kjo gjë rrezikojnë jetën rreth 300 000 të sëmurë kronikë.
Gjithashtu, shumë qytetarë nuk arrijnë të përballojnë çmimet e larta të ilaçeve që janë në treg dhe janë “përplasur” te ata që quhen shtriganë. Njëri prej tyre, i vetëshpallur shërues shpirtëror, e ka oborrin përpara shtëpisë të mbushur me njerëz.
“Shkova në spital dhe nuk kishte asgjë aty. Nuk kanë ilaçe dhe ato që i kanë, janë shumë të shtrenjta. Çfarë të bëj?”, thotë për Daily Mail 77-vjeçarja Rosa Saez.
Shëruesi Rosales e shtrin pacientin në një shtrat, në dhomën e ndriçuar me qirinj, dhe tund disa gërshërë sipër trupit të të sëmurit. Ai thotë se bën rreth 200 seanca të tilla në javë.
Shumë pacientë kanë besim te metodat e shëruesit dhe njëri prej tyre thotë: “Më ka shëruar veshkat”.
Rosales konsultohet me pacientët, i ekzaminon me stetoskop dhe më pas jep diagnozën. Shpesh ai u jep atyre pocione me bazë bimësh dhe frutash: “E dimë të gjithë që ilaçet janë të nevojshme. Nuk jam kundër ilaçeve, por ilaçet e mia vijnë nga bimët. Është mënyra e vetme për të zëvendësuar ato ilaçe që mungojnë ose që njerëzit nuk i blejnë dot”. (A2 Televizion)