Është ëndrra e çdo futbollisti, një trofe që mund të ndryshojë karrierën dhe të shkruajë historinë. Por, përtej prestigjit dhe famës, lind një pyetje: a fiton para futbollisti që merr Topin e Artë? Përgjigjja mund të jetë surprizuese. Organizatorët e Topit të Artë nuk japin një çmim monetar për fituesin.
Pra, lojtari që ngjitet në skenë dhe ngre trofeun më prestigjioz individual në futboll nuk merr automatikisht një çek apo një shumë parash nga organizatorët. Por kjo nuk do të thotë se triumfi nuk ka vlerë financiare.
Përkundrazi! Fitimi i Topit të Artë mund të ndikojë ndjeshëm në të ardhurat e një futbollisti. Kontratat me klubet mund të përmbajnë bonuse për këtë arritje, ndërsa suksesi individual rrit interesin e sponsorëve dhe fuqinë negociuese të lojtarit në marrëveshjet e ardhshme.
Dhe këtu qëndron paradoksi: trofeu vetë nuk të pasuron drejtpërdrejt, por emri yt në historinë e futbollit mund të vlejë miliona. Sa i përket vetë trofeut, ai nuk është prej ari të pastër, por përbëhet nga bronzi i veshur me ar. Në fund, Topi i Artë nuk është një çmim që matet me paratë që merr në skenë, por me atë që mund të fitosh pasi zbret prej saj! (A2 Televizion)