
Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja me armë zjarri e regjistruar paraditen e sotme në fshatin Shtoj të Shkodrës. A2 CNN mëson se i plagosuri është Taulant Hotaj, këngëtar në lokalin ku ndodhi ngjarja.
Sipas të dhënave paraprake, Hotaj ishte duke pirë kafen e mëngjesit në lokal, kur një person i maskuar, me një maskë të ngjashme me ato që përdoreshin gjatë pandemisë së COVID-19, është afruar nga pas dhe e ka qëlluar me armë zjarri.
Si pasojë, këngëtari ka mbetur i plagosur. Ende nuk dihen arsyet që çuan në këtë ngjarje, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të plagosjes.
Burime pranë policisë bëjnë me dije se shtetasi Taulant Hotaj, është person me precedent penal sepse në qershorin e 2025 është deportuar nga Franca pasi ishte dënuar për një plagosje të rëndë me dashje. Hotaj ka bërë 6 muaj burg dhe pas uljes së dënimit, shteti francez e ka deportuar drejt Shqipërisë. (A2 Televizion)