I vogli i familjes Yamal, por ylli i mbrëmjes! Vëllai i Lamine rrëmben vëmendjen në Topin e Artë. Në një mbrëmje ku sytë ishin të gjithë te yjet e futbollit dhe fituesi i Topit të Artë, një protagonist i papritur arriti të rrëmbejë zemrat e publikut.
Bëhet fjalë për Keyne, vëllain e vogël të Lamine Yamal, i cili tërhoqi vëmendjen që në momentin e mbërritjes në tapetin e kuq. I veshur me elegancë dhe duke pozuar krejt natyrshëm përpara fotografëve, vogëlushi u kthye në një nga personazhet më të komentuar të mbrëmjes. Pranë familjarëve dhe më pas në shoqërinë e yllit të Barcelonës, Keyne tregoi se kamerat nuk e vënë aspak në siklet.
Edhe pse Lamine ishte një nga protagonistët kryesorë të ceremonisë, vëllai i tij i vogël arriti të merrte një pjesë të vëmendjes, duke sjellë një moment të veçantë dhe plot ëmbëlsi në një nga netët më të rëndësishme të futbollit. Duket se talenti për të tërhequr vëmendjen nuk është vetëm në fushën e blertë, sepse në familjen Yamal, edhe më i vogli di si të bëhet protagonist! (A2 Televizion)