
Industria e filmit merr një tjetër goditje. Edhe festivali i Kanës nuk ka mundur t’i shpëtojë dot prekjes shkatërruese së koronavirusit, e tapeti i kuq nuk do të shtrohet në La Croisett-in e famshëm.
Në një njoftim, organizatorët thanë se ai nuk do të mund të zhvillohet dot në “formën origjinale” për shkak të pandemisë. Fillimisht, eventi që katapulton në rivierën franceze ajkën e kinemasë botërorë në pranverë, u shty për më vonë gjatë verës. Por në një deklaratë të përditësuar, organizatorët thanë se “plani i tyre nuk ishte më një opsion”, ndërsa presidenti Macron zgjati edhe më tej periudhën e izolimit.
Nuk u tha se cila mund të ishte alternativa, ndaj formës origjinale të festivalit, por kjo mund të bëhet e ditur në një komunikim tjetër. Eventi prestigjioz, do të mbahej nga datat 12 deri në 23 maj në jug të Francës.
Kur u njoftua shtyrja e tij e parë, presidenti Pierre Lescure, tha se ishte optimist që ai do të zhvillohej këtë vit. U besua se kriza shëndetësore do të përmirësohej nga fillimi i prillit, por emergjenca vazhdon të jetë e lartë dhe masat e reja të qeverisë Macron nuk lanë rrugë tjetër, përveçse anulimin e festivalit. (A2 Televizion)