
Përpjekje naive për të na përçarë. Kështu i ka komentuar ministrja e Punëve të Jashtme në Kosovë, Donika Gërvalla, zërat për probleme me kryeministrin Albin Kurti.
Bashkëkryetarja e Listës Guxo, e cila garoi me VetëVendsojen në zgjedhjet e fundit parlamentare, thotë për Kosova Press, se është në një linjë me numrin një të ekzekutivit për marrëveshjen bazë të arritur me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të ujdisë.
Duke theksuar përkrahjen ndaj strategjisë që ka zgjedhur në këtë proces, Gërvalla shton se ka takime të rregullta mes krerëve institucionalë, ku gjithmonë është e pranishme.
“Janë naive përpjekjet për të na paraqitur sikur kemi qëndrime të ndryshme. Jam pjesë e të gjitha proceseve, përpjekjet janë shumë naive për të na paraqitur sikur kemi qëndrime të ndryshme. Qëndrimet janë të Republikës së Kosovës, nuk janë individuale, as të kryeministrit, as të kryetarit të Kuvendit dhe as të ministres. Nuk kam asnjë problem, përkundrazi kam përkrahur kryeministrin në strategjinë e zgjedhur.”
Por, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi thotë se kryeministri Albin Kurti po e shpërfill vazhdimisht ministren Gërvalla.
Ajo ngriti dyshime se mes partnerëve të koalicionit qeverisës ka mospajtime të mëdha, veçanërisht për dialogun Kosovë-Serbi.
“Kurti e ka kuptuar se zonja Gërvalla nuk e ka idenë se çka është politika e jashtme. Unë jam thellë e bindur se zotëri Kurti e ka kuptuar se zonja Gërvalla nuk e ka idenë se çka është politika e jashtme. E kemi pa se nuk është pjesë as e delegacionit në dialog dhe nuk ka informata sa i përket vendimeve që i merr qoftë presidentja apo kryeministri. Nuk është pjesë e asnjë takimi formal të presidentes dhe kryeministrit. Vet kjo pasqyrë të jep idenë të kuptosh se nuk është pjesë e formës së zhvillimit të politikës së jashtme.”
Gërvalla, por edhe deputetët e Partisë Guxo që janë në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë qenë më të heshtur pas arritjes se marrëveshjes bazë me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të saj, duke mos e komentuar atë. Kjo ka nxitur spekulimet për mospajtime brenda kabinetit qeveritar.
Lista Guxo u themelua nga Vjosa Osamni, e cila pas marrjes së postit të presidentes, ka dhënë dorëheqje nga kryesimi i partisë. (A2 Televizion)