Gjyqi në Hagë, ekspertët: E vështirë që ish-krerët e UÇK të shpallen fajtorë

Nga A2 CNN
7 Prill 2023, 16:41 | Kosova
Gjyqi në Hagë, ekspertët: E vështirë që

Prokurorët e specializuar në Hagë do ta kenë të vështirë të dëshmojnë se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fajtorë për krimet e pretenduara. Kështu mendojnë dy ekspertë të drejtësisë tranzicionale, Mathias Holvoet dhe Aidan Hehir, të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë. Holvoet, ligjërues i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, thotë se atij i ka bërë përshtypje edhe se sa i fuqishëm është ekipi i mbrojtjes së të akuzuarve.

“Problemi është gjithmonë në gjetjen e lidhjes mes krimeve të kryera fizikisht në terren dhe njerëzve më të fuqishëm në organizatë, si Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi. Dhe këtë do të duhet ta dëshmojë Prokuroria dhe do të jetë e vështirë. Për të qenë i sinqertë, instinkti më thotë se mund fare mirë të ketë shpallje pafajësie”, thotë eksperti i drejtësisë, Mathias Holvoet.

Si shembull që tregon se sa e vështirë është që një lidhje e tillë të dëshmohet, Holvoet u referohet aktgjykimeve të Gjykatës së Hagës në rastet ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, të cilët u shpallën të pafajshëm lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ekspertët e vënë theksin te përdorimi i termit “ndërmarrje e përbashkët kriminale për UCK” që sipas tyre është shumë nënçmues.

“Ideja që UÇK-ja të jetë një ndërmarrje kriminale. Ky term është shumë nënçmues dhe mendoj se kjo do t'i alarmojë njerëzit në Kosovë dhe do ta prekë me të vërtetë atë nerv që njerëzit ndiejnë në lidhje me pjesëtarët e UÇK-së si heronj”, shprehet eksperti Aidan Hehir.

Gjatë deklaratave hyrëse, prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se rasti ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së ka të bëjë me vetë ata, e jo me gjithë UÇK-në, duke shtuar se “shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos