Mbledhja e komisionit hetimor parlamentar për inceneratorët është shoqëruar me debate në lidhje me procedurat e ndjekura nga ky komision për shkresat e dërguara ndaj institucioneve të ndryshme dhe përgjigjet e marra.
Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj, akuzoi deputetët e opozitës se nuk po ndjekin procedurat ligjore. “Mos na bëni këtu sikur ju respektoni ligjin, ndërsa ne pala tjetër nuk respektojmë ligjin. Se iu pa e gjithë Shqipëria se çfarë bëtë më 8 janar. Kështu që kur të flasësh, bëj kujdes. Mësohu të njohësh ligjin dhe të mos e mbash veten mbi ligjin”, iu drejtua Felaj kryetares së komisionit, Jorida Tabaku, dhe deputetit Belind Këlliçi.
“Nuk ju lejoj të ofendoni asnjë koleg, duke përdorur situatën brenda PD-së për të intimiduar dhe për të stopuar punën. Deri në fund këtu do të na keni”, iu përgjigj Tabaku. Ndërsa deputeti Luçiano Boçi u tha kolegëve socialistë që të merren me thelbin e komisionit, jo me punët e brendshme të demokratëve. “Jemi këtu për megaskandalin e korrupsionit, për problemet tona mblidhemi vetë”, tha ai.
Pas akuzave të bëra nga opozita lidhur me tenderat e inceneratorëve, me urdhër të SPAK është arrestuar ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ndërsa janë shpallur në kërkim Klodian Zoto dhe Stelja Gugallja. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Koka ka përfituar gati 3.7 milionë euro ryshfet nga dy shoqëritë tregtare të tyre, në këmbim të kontratës koncesionare të iceneratorit të Elbasanit. (A2 Televizion)