
Vijon për të tretën ditë në radhë, përplasja e armatosur mes Forcave të Armatosura të Sudanit dhe një grupi paraushtarak, të quajtur “Forcat e Mbështetjes së Shpejtë”, ku deri më tani raportohet se kanë humbur jetën mbi 90 persona, ndërsa mbi 1 mijë të tjerë, kanë mbetur të plagosur.
Shifrat u bënë publike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Dhuna e ashpër që nisi të shtunën, u përhap menjëherë në të gjithë vendin, pas përpjekjeve për shndërrimin e forcave paraushtarake në një ushtri të mirëfilltë, me qëllim tranzicionin drejt një regjimi civil.
Forcat e mbështetjes së shpejtë kanë marrë nën kontroll Pallatin Presidencial, aeroportin e qytetit Khartum dhe godina të tjera qeveritare.
Dëshmitarët thonë se Forcat e Armatosura Sudaneze janë dorëzuar përballë këtij grushti shteti, por ende nuk ka një konfirmim.
Mes viktimave, sipas raportimeve zyrtare, janë edhe 3 punonjës të OKB-së dhe misionit të shpërndarjes së furnizimeve ushqimore në Sudan.
Përveç se një përplasje ushtarake, politikisht, grushti i shtetit është një përplasje politike mes presidentit të vendit dhe zëvendësit të tij për të marrë drejtimin e shtetit të tretë më të madh afrikan.
Të dy janë në një përpjekje të vazhdueshme për të drejtuar vendin kundër njëri-tjetrit, që kur drejtojnë qeverinë tranzitore pas grushtit të shtetit të 2019, që rrëzoi nga pushteti Omar al Bashir, pas më shumë se 30 vitesh në krye të shtetit. (A2 Televizion)