Pas 12 ditësh, Berlusconi del nga terapia intensive

Nga A2 CNN
16 Prill 2023, 22:08 | Bota
Pas 12 ditësh, Berlusconi del nga terapia intensive

Pas 12 ditësh, lideri i Forza Italia, Silvio Berlusconi ka lënë terapinë intensive dhe tashmë është shtruar në një repart të zakonshëm spitalor. Lajmi u konfirmua nga vëllai i tij Paolo, teksa po futej në spitalin San Raffaele për të vizituar ish-kryeministrin italian.

Berlusconi u shtrua në spital 12 ditë më parë për shkak se gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, pasi ai prej kohësh vuan nga leucemia. Nata e fundit e liderit të Forza Italia në terapi intensive ishte e qetë dhe ishin mjekët ata që dhanë dritën jeshile për transferimin në një dhomë të zakonshme spitali.

Berlusconi ndiqet nga mjeku i tij i besuar dhe shefi i kujdesit intensiv, Alberto Zangrillo dhe Fabio Ciceri. Si zakonisht, familja dhe miqtë vizituan Berluskonin të dielën.

“Suksese Silvio miku im!”, ka shkruar Matteo Salvini në rrjetet e tij sociale. Sot Berlusconi u vizitua edhe nga presidenti i Mediaset, Fedele Confalonieri i cili ka mbërritur në spital pak para orës 16:30 dhe nga vajza e tij Marina. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos