
Ukraina zotohet se nuk do të heqë dorë nga mbrojta e qytetit lindor të Bakhmut, i cili është nën rrethim nga forcat ruse që duan të sigurojnë fitoren e parë të madhe në më shumë se 6 muaj. Trupat e Kievit kanë përforcuar pozicionet në perëndim të qytetit, në atë që u duk të jetë përgatitje për tërheqje të mundshme, por presidenti Zelenski e hodhi poshtë këtë mundësi dhe i kërkoi ushtrisë të gjejë forcat për të mbrojtur Bakhmutin.
“Komandantët e lartë i thanë jo tërheqjes dhe po kërkojnë përforcime të mëtejshme. Stafi e mbështeti unanimisht vendimin. U kam thënë komandantëve të gjejnë forcat e nevojshme për të ndihmuar djemtë tanë në Bakhmut”, tha Zelensky.
Kreu i grupit të mercenarëve rus, Vagner, i cili ka drejtuar ofensivën në Bakhmut bëri thirrje për më shumë furnizime me armatime për të fituar betejën, ndërsa akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes ruse se qëllimisht po i linte pa municione njerëzit e tij.
Pretendimet, të cilat nxjerrin në pah krisjen gjithnjë e më të thellë me zyrtarët e mbrojtjes, u mohuan nga ministria në fjalë.
“Po trokas tek të gjitha dyer dhe po i bie kambanave të alarmit për municione dhe përforcime. Nëse koordinohemi, pa ambicie, prapaskena apo zemërime mund t’i bllokojmë forcat e Ukrainës”, tha Yevgeny Prigozhin.
Komanda ushtarake ukrainase raportoi të martën se kishte vrarë një numër rekord prej 1600 ushtarësh rusë përgjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar totalin sipas Kievit, në mbi 154 mijë ushtarë të vrarë.
Teksa Ukraina pret me dëshpërim municionet e perëndimit, SHBA-ja e bëri të qartë se sigurimi i avionëve F-16 nuk është në tryezë. (A2 Televizion)