
Dhjetëra nxënës të arsimit fillor në lagjen Kroi i Kuq të Kukësit rrezikojnë jetën çdo mëngjes dhe drekë për të shkuar dhe kthyer nga shkolla.
Ndërtimi i rrugëve pa trotuare dhe pa asnjë element sigurie për kalimtarët, vë në rrezik nxënësit dhe prindërit që janë të detyruar t’i shoqërojnë.
Për këtë arsye, prindërit e nxënësve kanë reaguar duke kërkuar një zgjidhje më të sigurt për fëmijët e tyre. Në shenjë proteste, ata kanë ndaluar dërgimin e nxënësve në shkollë derisa t’u jepet një zgjidhje e sigurt.
Më e vështirë kjo rrugë bëhet në stinën e dimrit, kur fillojnë reshjet e shiut dhe dëborës. Ndërkohë, kalimi i kësaj rruge është problematik edhe për vetë 300 banorët e lagjes “Kroi i kuq”, të cilët kërkojnë një zgjidhje nga bashkia e qytetit, e cila deri më tani ka heshtur në lidhje me këtë problematikë. (A2 Televizion)