
Dita nisi me një lajm të keq për Edi Ramën dhe mazhorancën. Kryeministri po bëhej gati të dilte në foltoren e Parlamentit, kur Gjykata vendosi që ish-deputeti socialist Alqi Bllako duhej t’i rikthehej qelive të paraburgimit. Kjo duket se ndikoi dhe strategjinë e shefit të Qeverisë, që për të larguar vëmendjen nga tensionimi i njerëzve të tij, zgjodhi t’i paraprijë sulmit, me një lum ofendimesh ndaj demokratëve në sallë.
“Jeni ca bedel, jeni ca njerëz që nuk keni as sy për të parë e as veshë për të dëgjuar. Disa prej jush janë të shitur dhe kanë marrë paratë, disa prej jush janë të shitur se janë gjela deti si ai atje. Ju i bëni hije kot kësaj toke dhe do të dilni siç hytë, kastravec!”, tha Rama.
Duke vijuarme një gjuhë pa frena, nuk harroi refrenin e muajve të fundit për financimet ruse. “Ju nuk keni gojë e të dilni këtu e të flisni. Ju nuk keni faj sepse jeni mësuar të merrni para cash edhe nga armiqtë e këtij vendi dhe të zbardhi ato dhëmbët tuaj që janë e qeshura e madhe e marrëzisë... Dhe mos bërtiti ti gjel deti Peqini”.
Fjalët e Ramës sollën reagimin e opozitës në sallë, por replikat nga vendi tentoi t’i shuante Lindita Nikolla. “E unë këtë gjuhë e shpjegoj me faktin se i një ish-deputet i PS është rikthyer në qeli sot. Se kjo gjuhë shpjegohet vetëm me atë që po ndodh pas dyerve të SPAK-ut se e dinë se çfarë po vjen!”, tha Jorida Tabaku. “Vetëm një njeri që mund të ngrihet në pikë të mëngjesit që ka një hall të madh vjen e nxjerr këtë gjuhë”, tha Enkelejd Alibaej.
Si për të barazuar situatën e ish-deputetit të tij që rikthehej në qeli, vëmendjen e spostoi ndaj demokratit Ervin Salianjit, që pret vendimin e gjykatës për rolin e tij në dosjen Babale. “Ti je si miza nën të ndenjurat e kalit që kujton se tërheq karrocën. Rri aty se ke edhe ditë të vështirë sot, të mirëkuptojmë edhe kujdes me fjalorin se je edhe afër dhe mos ngatërro jashtë-daljet e organizimit”, i tha Rama deputetit demokrat. Me gjykatën që shtyu përsëri vendimin ndaj tij, Salianji i ktheu përgjigjen jashtë sallës së Parlamentit. “Rama mendon s emund të më kërcënojë nga Foltorja”.
Furtuna e nisur brenda sallës së parlamentit vijoi jashtë saj, me mesazhin që Sali Berisha i dërgoi kryeministrit. “Ai flet dhe ia mbath. Vjen në parlament si i kalamendur nga droga, përçart, kërcënon me SPAK-un e partisë dhe gjykatat e partisë. Por e vërteta është se për çdo aferë ai do të përballet me drejtësinë. Sigurisht fjalën më të fuqishme e kanë qytetarët në datën 12 nëntor e cila do të jetë revolta popullore e shqiptarëve kundër këtij regjimi që nuk ndalet së vjedhuri”.
Pas kësaj deklarate, edhe Berisha, njësoj si Rama, u largua nga seanca plenare. (A2 Televizion)