Rama paralajmëron rritje të penaliteteve për biznesin e madh: Na ka ngecur sharra në gozhdë me Prokurorinë

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2022, 11:47 | Politikë
Rama paralajmëron rritje të penaliteteve për biznesin e madh: Na

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi rritje të penaliteteve për biznesin e madh në rast të shkeljeve, teksa shprehu mbështetjen për biznesin e vogël. Nga foltorja e Kuvendit ai akuzoi sërish Prokurorinë e Tiranës se ka mbyllur çështjet që duhet të ndiqeshin penalisht. Duke folur për ndërtimet pa leje, Rama njoftoi se edhe sot janë kryer konfiskime të reja jo vetëm në kryeqytet.

“Do të rrisim penalitetet për biznesin e madh, se ne ndryshe nga ç’na pikturoni ju, jemi në anën e biznesit të vogël. Ne i kemi rritur taksën biznesit të madh. Jemi ata që vazhdojmë të konfiskojmë metrat katrorë të babëzisë që ju i quani oligarkë dhe na i ngjisni ne, por nëse do të ishin me ne nuk do kishin hallin që do dorëzojnë çdo metër katror që e kanë bërë pa leje duke shkelur ligjin. Edhe sot që flasim ka konfiskime të reja, jo vetëm në Tiranë. Ndërtime të bëra me qëllim fitimi. Do t’i rrisim penalitetet për t’i thënë rri në vendin tënd”.

Kreu i qeverisë sulmoi Prokurorinë se ka favorizuar opozitën, e cila sipas tij ka bërë zullume me letrat e marra prej saj.

“Ju bëni kriminel edhe një nga personalitetet e ekonomisë globale. Ju bëni kriminel njeriun që ka ndërtuar gjysmën e Dubait. Çfarë i keni ju këta që janë këtu. Por këta të mos përdorin biznesin e vogël të shesë pa fatura dhe të mos bëjnë evazion se aty ku do të kapen, do të gjobiten pavarësisht se na ka ngecur sharra në gozhdë në Prokurorinë e Tiranës, që prej vitesh ka funksionuar si sportel për të rritur pazaret duke mbyllur çështjet që drejtoritë tona të të ardhurave i çojnë për ndjekje penale. Dhe duke marrë para nga ata që duhet të ndiqen penalisht dhe duke çuar letrat te bedelat e PD-PL-së, duke bërë zullume me letra të marra nga prokuroria, si i puna e TVSH-së fiktive me të vdekur e të paralizuar. Dhe jo vetëm nuk u ndoqën penalisht, por letrat ju dhanë partisë së lekut duke u hedhur hi syve shqiptarëve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos