Një inspektor i tatimeve grek u arrestua ditën e sotme në periferi të Athinës, pasi ofendoi në zyrë një nënshtetase shqiptare që po kërkonte një certifikatë.
Ngjarja ka ndodhur në Glyfada, lokalitet në periferi të kryeqytetit grek, në zyrat e tatimeve ku G.K, rezidente në Vari po me origjinë shqiptare, po kërkonte një certifikatë trashëgimie.

Sipas portaleve greke si star.gr, pas një debati të vogël inspektori i tatimeve ka ofenduar shqiptaren me terma si “ju shqiptarët jeni të pisët, llafazanë dhe mosbesues”.
Shqiptarja denoncoi menjëherë ngjarjen tek Drejtori i zyrës, i cili njoftoi forcat e rendit të cilat vepruan me arrestimin e zyrtarit, i cili tashmë do të duhet të mbrohet në Gjykatë. (A2 Televizion)