
Italia është pranë përjashtimit nga Lojërat Olimpike. Është ky vendimi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që do të zyrtarizohet këtë të mërkurë në orën 17:30.
Vetëm një dekret brenda pak orësh nga qeveria italiane mund të zgjidh çështjen e autonomisë së Komitetit Olimpik Italian dhe të shpëtojë imazhin global të vendit fqinj. Nëse Italia përjashtohet, atletët më të mirë, si Federica Pelegrini apo Gregoria Paltrinieri, do të mund të garonin vetëm si individë të pavarur, pa flamur himn kombëtar, njësoj si ka ndodhur me Bjellorusinë e Lukashenkos apo Rusinë pas skandalit të dopingut.
Kjo do të ishte një njollë e madhe për sportin edhe para Milano-Cortina 2026, me Italinë që do të jetë mikpritëse e Lojërave Olimpike dimërore pas 5 vjetësh. Jo vetëm kaq, por Komiteti Olimpik italian, do të shkëpuste edhe financimet për sportistët italianë që do të garonin si të pavarur. Situata duket delikate në vendin fqinj dhe vetëm një ndërhyrje e qeverisë Conte mund të zhbllokojë situatën që është në luftë me kohën, pasi në Lozanë gjithçka është gati për të konkretizuar përjashtimin e Italisë, një situatë kjo e paprecedentë duke parë që dekreti për autonominë e Coni-t është gati, por nuk është aprovuar ende. (A2 Televizion)