Omicron “pushton” vendin, Franca ashpërson kufizimet

Nga A2 CNN
28 Dhjetor 2021, 17:01 | Bota
Omicron “pushton” vendin, Franca ashpërson kufizimet

Festa në liri, pastaj shtrëngime... Franca ka vendosur të ashpërsojë masat kundër koronavirusit nga 3 janari, mes shqetësimeve për përhapjen e variantit Omicron. Puna nga shtëpia do të bëhet e detyrueshme për ata që munden dhe grumbullimet publike do të kufizohen në 2000 persona.

Megjithatë, nuk do të ketë kufizime natën e ndërrimit të viteve. Lajmi vjen ndërsa Franca regjistroi më shumë se 100 000 infektime të reja, numri më i lartë i raportuar në vend që prej shpërthimit të pandemisë. Olivier Veran, ministër i Shëndetësisë, u shpreh: “Infektimet me koronavirus po dyfishohen çdo dy ditë. Do të përballemi më një “mega valë” rastesh të reja”. 

Rregullat e reja përfshijnë gjithashtu ndalimin e konsumimit të ushqimeve në mjete të transportit për distanca të gjata. Klubet e natës do të mbeten të mbyllura deri në njoftime të mëtejshme, ndërsa kafenetë dhe baret do të ofrojnë shërbim vetëm në tavolina. Mbajtja e maskave do të bëhet e detyrueshme në qendrat e qytetit. Sakaq, koha e marrjes së dozës së tretë do të reduktohet nga 4, në 3 muaj. 

Jean Castex, kryeministër i Francës, tha: “E di që duket si një film pa fund, por një vit më parë ne nisëm fushatën e vaksinimit dhe tani jemi populli më i vaksinuar dhe i mbrojtur në botë”. 

Edhe shtetet e tjera europiane po shtrëngojnë kufizimet, ndërsa varianti Omicron po pushton furishëm kontinentin. Gjermania do të kufizojë grumbullimet në palestër, pishina, klube nate e kinema, duke lejuar një maksimum prej 10 personash të vaksinuar. Greqia ndërkohë do të kërkojë mbylljen e bareve dhe restoranteve në mesnatë dhe në tavolina do të lejohen deri në 6 klientë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos