
Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen është takuar në presidencë me kreun e Shtetit Ilir Meta.
Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, shefja e KE-së shprehet se BE është në anën e Shqipërisë, teksa rendit edhe prioritetet e përbashkëta që nga pandemia, krijimi i vendeve të puëns dhe zhvillimi ekonomik.
“Ne punojmë krah për krah për të siguruar një shërim të qëndrueshëm nga pandemia. Europa është në anën tuaj, me 430 000 doza të dhuruara për Shqipërinë. Prioritetet tona të përbashkëta: Shpejtoni vaksinimin; Krijimi i vendeve të punës dhe rritja me Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor”, shkruan Von der Leyen.
Nga ana e tij presidenti Meta shprehu besimin te Bashkimi Europian dhe theksoi se intensifikimi i përpjekjeve të dyanshme ndaj sfidave të brendshme dhe të jashtme është kyç i suksesit të përbashkët.
“Kënaqësi të takohesha sot me Presidenten e KE, Sh.S.Znj. Ursula von der Leyen. Kemi besim tek Bashkimi Europian dhe mbështetja e Komisionit për përparimin e marrëdhënies kontraktuale ndërmjet nesh. Me këtë synim, intensifikimi i përpjekjeve të dyanshme ndaj sfidave të brendshme dhe të jashtme është kyç i suksesit të përbashkët”, shkruan Meta.
Presidentja e Komisionit Europian ndodhet në një vizitë në Shqipëri në nisje të turit ballkanik, para samitit të BE-Ballkani Perëndimor që pritet të mbahet më 6 tetor. (A2 Televizion)