Mashtrim me “call center”, 7 milionë euro dëm. SPAK kërkon gjykimin e 13 personave

Nga A2 CNN
16 Qershor 2023, 11:12 | Kronikë
Mashtrim me “call center”, 7 milionë euro dëm. SPAK

Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimin dhe dërgoi për gjykim dosjen ndaj 13 personave të akuzuar për mashtrimin e mijëra qytetarëve europianë, mes të cilëve gjermanë, francezë e italianë, përmes investimeve false në bursë.

Sipas SPAK, dëmi në total i shkaktuar tek të mashtruarit prej tyre shkon në gati 7 milionë euro. Dy të akuzuarit kryesorë të dosjes, Erjon Kasmi dhe Xhulian Xhafa, rezulojnë të kenë pasur “call center”-a në Tiranë, nga ku bëheshin telefonatat dhe ftoheshin qyetarët europianë të investonin, duke iu premtuar interesa të larta kthimi.

Sipas SPAK, Kasmi akuzohet për “mashtrim kompjuterik” dhe “krijim të grupit të strukturuar kriminal”, ndësa Xhafa për “mashtrim kompjuterik” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Për pjesëmarrje në këtë grupim, SPAK kërkon gjykimin edhe të 11 personave të tjerë. Nga hetimi, i kryer në bashkëpunim me autoritetet gjermane të drejësisë, rezulton se paratë që investoheshin nga qytetarët europianë në kompani fantazëm investimesh në internet, depozitoheshin në llogari bankare në Bullgari, Lituani, Poloni e Qipro.

Më pas, ato i nënshtroheshin transfertave të njëpasnjëshme, si edhe konvertoheshin në kriptovalutë për të humbur gjurmët. Një pjesë e parave kanë mbërritur edhe në llogaritë e të pandehurve në Shqipëri. Hetimi ka zbuluar pasuri të shumta, dukshëm të pajustifikuara të Erion Kasmit dhe Xhuljan Xhafës. Të pandehurit Kasmi, SPAK i ka sekuestruar 588 mijë euro dhe 19.7 milionë lekë në llogaritë në Shqipëri dhe 1,5 milionë euro në një llogari në Kosovë. Nga i njëjti hetim janë vënë në sekuestro edhe 19 pasuri të paluajtshme, mes të cilave 9 apartamente, 3 garazhe dhe disa sipërfaqe trualli. Në këtë grup dyshohet të jenë pjesë edhe persona të tjerë shqiptarë e të huaj, për të cilët vijon hetimi.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos