
Policia ka arrestuar 15 persona në kuadër të një operacioni antidrogë në Tiranë, gjatë të cilit janë sekuestruar 745 gramë kokainë, 110 gramë heroinë dhe 1,3 kg kanabis.
Sipas policisë, droga shpërndahej në zona të ndryshme të Tiranës dhe disa lokale. Thuajse të gjithë të arrestuarit ishin të grupmoshës 20-30 vjeç. Gjithashtu janë shpallur në kërkim 2 persona, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë 14 të tjerë.
Në kuadër të këtij procedimi penal, janë sekuestruar në total:
• 745 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza të gatshme për shitje;
• 110 gramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë, e ndarë në doza;
• 1.3 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në doza;
• shuma parash, në euro, dollarë dhe lekë;
• 5 peshore elektronike;
• 25 aparate celulare dhe
• 6 automjete, 1 motomjet dhe 1 biçikletë, që përdoreshin për shpërndarjen e lëndëve narkotike.
“Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, pasi siguronin lëndët narkotike, kryesisht kokainë dhe heroinë, e tregtonin ato në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në lokale nate. Gjithashtu, disa prej këtyre shtetasve siguronin lëndën narkotike kanabis dhe tentonin ta shisnin edhe në afërsi të disa shkollave në qytetin e Tiranës”, tha Drejtori i Policisë së Tiranës, Lorenc Panganika, në një konferencë për mediat.
Policia tha se gjithashtu se përgjatë këtij viti, ka finalizuar 38 operacione policore në fushën e narkotikëve, gjate të cilëve janë sekuestruar 6,5 kg lëndë narkotike kokainë, 73 kg kanabis, 52 kg kanabis në formë çokollate. (A2 Televizion)