13:00 – Pas dorëzimit të dorëheqjeve nga mandati, tashmë ish-deputetët iu drejtuan selisë së Partisë Demokratike, të ndjekur nga mbështetësit e tyre.
Prej aty, Luzim Basha mbajti një fjalim ku tha se “Shqipëria do të ketë një të ardhme dhe kjo e ardhme nuk i takon kriminelëve dhe oligarkëve hajdutë, nuk i takon njeriut që e solli këtë të zezë, Edi Ramës”, ndërsa në fund këndoi edhe Himnin Kombëtar.
“Le të nisim këtë rrugëtim shprese për rrëzimin e regjimit kriminal dhe të Maduros së Ballkanit. Shqipëria do të ketë një të ardhme dhe kjo e ardhme nuk i takon kriminelëve dhe oligarkëve hajdutë, nuk i takon njeriut që e solli këtë të zezë, Edi Ramës. E ardhmja është e juaja. Do të kemi një qeveri të popullit, për popullin dhe nga populli.
Shqipëria do të ketë një të ardhme, derën e Europës do ta hapim. Ky është mesazhi i popullit të bashkuar si asnjë më parë”, u shpreh Basha nga selia e PD
“Bëhuni gati për betejën e radhës anembanë vendit. Zoti e bekoftë vendin. Fitore!”, u shpreh Basha dhe më pas këndoi edhe Himnin Kombëtar.
12:30 - Deputetët e opozitës kanë dorëzuar dorëheqjen zyrtarisht në kryesinë e Kuvendit, të shoqëruar aty nga protestuesit që tashmë e kanë zhvendosur aty protestën. Ndërkohë mësohet se Kryeministri Edi Rama është larguar nga ambientet e kryesisë, para mbërritjes së tashmë ish-deputetëve. Protesta do të zhvendoset tani te Kryeministria, njëlloj si më 16 shkurt.
Ndiqni live protestën në kanalin e A2 CNN në YouTube.

11:53 - Pas fjalës së Kryetarit të PD, Lulzim Basha, protestuesit po lënë godinën e Parlamentit për t’u drejtuar drejt godinës së kryesisë së Kuvendit, ku deputetët e opozitës do të dorëzojnë edhe zyrtarisht mandatet, përmes shkresës së firmosur një ditë më parë.
Para largimit, në fjalën e tij, Basha u duk se i dërgoi edhe një mesazh ndërkombëtarëve, të cilët e kanë kritikuar vendimin për dorëzimin e mandateve.
“Ndaj ju them miqtë e mi, kërkomëni gjithçka që mund t’ju jap si lider i opozitës. Por mos më kërkoni kurrë që të pranoj për popullin tim atë që ju s’do të pranonit kurrë për popullin tuaj”, tha Basha.
Basha, mesazh për ndërkombëtarët nga protesta
11:30 – Protesta vazhdon e qetë dhe deri tani nuk janë shënuar incidente. Deputetët e opozitës po flasin me radhë para protestuesve të mbledhur para Parlamentit, duke i bërë thirrje Kryeministrit Rama që të largohet.
Në fjalën e tij, kryetari i PD, Lulzim Basha tha se tashmë është një qytetar i Tiranës: “Jam në krahun tuaj dhe me ju, deri në fitoren totale të kësaj beteje. Shqiptarët e bashkuar kanë nisur rrugëtimin e shpresës, që nisi në bashkimin më të madh të shqiptarëve”.
“Ne nuk jemi populli i dhunës, jemi populli i lirisë, i demokracisë. Për Edi Ramën dorëheqja është vetëm fillimi, ai do të shkojë para drejtësisë”, shtoi Basha.
Basha: Jam me ju, deri në fitoren totale të kësaj beteje
10:35 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, del nga selia e në shoqërinë e ish-kryetarit Sali Berisha dhe deputetë të tjera i drejtohen godinës së Kuvendit për t’iu bashkuar protestuesve, të mbledhur aty që para orës 10:00.
“Sot është dita e parë e kësaj beteje”, tha Basha. “Bëjmë realitet djegien e mandateve parlamentare. I bindemi urdhrit të sovranit për të mos qenë në kuvendin fasadë. Kjo betejë do të vazhdojë deri sa t’i kthejmë legjitimitetin politik qytetarëve, një Parlament të dalë nga votat e tyre dhe bashkë të hapim derën që do të na çojë drejt Europës”.
I pyetur nga A2 CNN për të komentuar deklaratat e ndërkombëtarëve të cilët e kanë kritikuar vendimin e opozitës për djegien e mandateve, kryetari i PD tha: “Ne udhëhiqemi nga vlerat europiane të lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor, ndaj e sotmja është një ditë shprese, e fillimit të rrugëtimit drejt Shqipërisë europiane”.
10:00 - Qindra vetë janë mbledhur para godinës së Kuvendit të Shqipërisë në protestën e dytë të opozitës brenda pak ditësh.
Një ditë më parë, deputetët e opozitës firmosën edhe zyrtarisht dorëzimin e mandateve. Pasi mbërriti në selinë e PD, kryetari Lulzim Basha tha se anulimi i seancës nga Gramoz Ruçi ishte një veprim antikushtetues dhe antiligjor.
“Ky nuk është më Parlament. Dhe qeveria për sot është larguar. Ne përmes bashkimit qytetar, do të bëjmë të mundur që mbyllja e Parlamentit dhe largimi i Edi Ramës të mos jenë ngjarje e një dite, por të kthehen shumë shpejt në zgjidhjen politike dhe t’i japin rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe t’i hapin rrugë një Parlamenti nga populli, për popullin dhe të popullit”, tha Basha pasi mbërriti në selinë e PD.
Në selinë e PD janë bërë gati edhe pankartat, ku spikat edhe një herë portretizimi i Kryeministrit Rama si Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro.
Ndërkohë, protestuesit kanë ndezur qirinj dhe vendosin lule para Parlamentit. (A2 Televizion)
