
Teksa akuzon Kurtin për izolim të Kosovës për shkak të përplasjeve me komunitetin ndërkombëtar, opozita tenton të gjejë mënyra për izolimin e kryeministrit. Partia Demokratike e Kosovës kërkon dorëheqjen e qeverisë Kurti dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme duke paralajmëruar me bojkot të punimeve të kuvendit.
Kreu i partisë, Memli Krasniqi tha se do të shkëpusë çdo komunikim zyrtar me kryeministrin dhe presidenten, përveç në rastet kur do të diskutohet shpallja e datës së zgjedhjeve të përgjithshme.
All - Paragraf - 3“Ne nga sot kërkojmë që në një kohë sa më të shpejt të diskutohet për shpalljen e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, qoftë përmes dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti, qoftë përmes shpërndarjes së kuvendit të Kosovës, sepse kjo shumicë parlamentare dhe zgjedhjet e kaluara nuk e kanë prodhuar këto institucione për të shkatërruar çdo raport të Kosovës me aleatët dhe partnerët perëndimorë. E dyta, ne nga sot nuk do të votojmë në asnjë forum të Kuvendit të Kosovës. As në komision e në as në seanca plenare, as ligje e as vendime, as rezoluta, as marrëveshje ndërkombëtare. Asgjë tjetër sepse situata në Kosovë nuk është normale dhe ne nuk mund ta simulojmë normalitetin. Nuk do ta ndihmojmë këtë qeveri arrogante e që është në shpërputhje totale me realitetin në vendin tonë që të aktrojë normalitetin”.
Memli Krasniqi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, Lumir Abdixhiku, paralajmëroi “idenë e nisjes së artikulimit të njëmendimi të përbashkët”, për t’iu kundërvënë “politikave përplasëse të Qeverisë së Kosovës me aleatët historikë”.
Siç tha vetë Abdixhiku, në takime do të ftohen përfaqësues të shoqërisë nga të gjitha fushat, përfshirë edhe partitë politike, për t’i njoftuar dhe biseduar me ta për “planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit dhe krizës’.
Sakaq, kreu i AAK, Ramush Haradinaj, doli me idenë e mocionit të mosbesimit që në fillim të qershorit, duke e cilësuar këtë “zgjidhje të duhur”. Qëndrim të ngjashëm shprehu edhe më 2 korrik, duke thënë se “mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit sot është interes kombëtar”. Ai e ftoi opozitën, por edhe deputetët e partisë në pushtet që t’i bashkohen. (A2 Televizion)