
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 4 Korrikun. Në urimin e tij, kreu i ekzekutivit të Kosovës shprehet se themeli i aleancës mes dy vendeve është vizioni për lirinë dhe barazinë.
Dhe, siç shprehet Kurti, ashtu siç ky vizion që e përmban deklarata e Pavarësisë së SHBA-ve është i përjetshëm, ashtu është edhe aleanca mes dy vendeve.
Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së përmban një nga vizionet më të fuqishme të lirisë dhe barazisë të njohura në botë. Ai vizion, dhe vlerat e përbashkëta që ai shpreh, përbëjnë themelin e aleancës së kombeve tona. Ashtu si ai vizion është i përjetshëm, po ashtu është edhe aleanca. Gëzuar 4 Korrikun!
Albin Kurti, Twitter
Kujtojmë se Kurti është akuzuar së fundmi se po vë në rrezik marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe Bashkimin Europian me qëndrimet e mbajtura pas situatës së tensionuar të krijuar në Veri.
Disa ditë më parë, BE konfirmoi sanksionet e vendosura ndaj Kosovës pas “vendimit të autoriteteve për të mos u koordinuar me partnerët europianë për uljen e tensioneve.” (A2 Televizion)