Opozita me dy lista, Agron Duka: S’ka "çarje", LSI do të tërheqë të majtët e vërtetë

Nga A2 CNN
14 Janar 2021, 14:27 | Politikë
Opozita me dy lista, Agron Duka: S’ka "çarje", LSI do

Partia Agrare Ambientaliste, ditën e mërkurë, i vuri vulën finale, formulës së kandidimit në këto zgjedhje, krah PD-së. Kreu i PAA, Agron Duka, zbuloi në studion e Ditarit në A2 pak nga pritshmëritë e ambiciet në këto kushte kandidimi.

“Ka qenë një vendim i vështirë, pasi kodi zgjedhor na penalizonte nëse dilnim vetëm. Por, e rëndësishme është që ne kemi një qëllim të përbashkët që është rrëzimi i Ramës. Gjithsesi, më mirë do të ishte të dinim vetëm, pasi lakohesh më shumë, do të bënim një betejë edhe më shumë se 140 kandidatë, mund të merrnim një mandat në Durrës, siç na u dha. Problemi ishte se do të fragmentarizonim votën në disa qarqe ku nuk arrijmë të konvertojmë votat në deputet. Ne morëm vendimin, unë të jem në listën fituese të Durrësit dhe të kem përfaqësues në të gjitha qarqet e vendit. Nuk është e pamundur edhe që të marrim një deputet tjetër edhe pse është e shumë e vështirë. Edhe nëse ne nuk arrijmë. Nëse do të ishin koalicionet e përbëra, kam bindjen se, në 4 qarqe të Shqipërisë mund të nxirrnim deputet”.

Duka theksoi më tej se opozita do të mbledhë më shumë vota me dy lista dhe se nuk ka çarje të saj. “Nëse ne do të futeshim në një liste të vetme, kishte pak vende për dy partitë e mëdha. E dyta, duke dalë më vete, LSI mund të tërheqë të majtët e vërtetë. Përveç votave të veta, LSI ka një mundësi të tërheqë shumë të majtë të zhgënjyer. Di fakte që ka shumë të majtë, të cilët nuk e gjykojnë që “Rilindja” është PS-ja. E rëndësishme është që, pavarësisht daljes në dy lista, edhe pse ndonjë mund ta shohë si çarje të opozitës, e rëndësishme është që ne kemi një qëllim strategjik dhe sapo të përfundojë hartimi i këtyre listave, do të dilet me një deklaratë që opozita është e bashkuar”.

Më tej, Duka theksoi se Partia Agrare Ambientaliste është e përqendruar te fermerët shqiptarë, për të cilët ai tha se duhet të besojnë te kjo parti se do të jetë zëri i tyre. “Unë gjykoj se fermerët shqiptarë, te PAA do të gjejë një parti që kuron problemet e tyre. Të gjithë e dinë si zhvillohet bujqësia, por nuk e shohin si prioritet. Fermerët do të kenë besim te ne që do të përfaqësojnë zërin e tyre në qeverinë e ardhshme. Ne sot jemi gati për të filluar fushatën elektorale. Nga e hëna, me të gjithë kandidatët, do të fillojë takimet në terren”, tha Duka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos