
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, në fjalën e tij në Kuvend, teksa jashtë godinës opozita ishte në protestë, i kërkoi opozitës që të ndryshojë. Sipas tij, pas datës 3 mars, kur Gjykata të vendosë fatin e PD, deputetët s’do jenë njësoj si sot.
“Lidhur me mocionin me debat, është vendosur data 2. Më duket qesharake që ju të mos pranoni datën 2 por të spostoni sot duke e ditur shumë mirë që kryeministri ndodhet në vizitë zyrtare në Japoni. Këtë e kemi thënë në seancën e shkuar. Në pamundësi për t’u zhvilluar më 23, debati do të zhvillohet me datën 2, sipas të gjitha kërkesave, përfshirë dhe kohën e zhvillimit të debatit. Çdo deputet mund të marrë fjalën jo më shumë se 10 minuta. Ky do të jetë debati më i gjatë i zhvilluar në historinë e Kuvendit të Shqipërisë.
Komisioni hetimor po shqyrtohet nga konferenca e kryetarëve. Unë nuk mendoj që është normale që Kuvendi t’i zhvillojë seancë me seancë me të njëjtën qasje. Mësoni të bëni kërkesa e për t’iu drejtuar Byrosë duhet të vish me provë shtesë. Thirrja ime është, ne s’jemi aspak të kënaqur që të marrim vendime për përjashtim kolegësh, por në Kuvend, vjen deputeti shkul mikrofonin dhe i bie foltores si daulle, prandaj nuk komunikoj dot me qytetarët se më kanë dalë njerëz këtu që se di pse. Jam i sigurt që pas datës 3 s’do jeni më kështu. E rëndësishme është që problemet e brendshme mos i sillni këtu”, u shpreh Balla. (A2 Televizion)