





Opozita protestoi serish sot para Kuvendit, teksa nw salle vijonte seanca. Hetimi parlamentar i kryeministrit për çështjen “McGonigal” dominoi debatet nw sallw.
Gjatë fjalës së tij, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha është shprehur ndër të tjera se iniciativa që ata kanë ndërmarrë është një betejë për mbrojtjen e Kushtetutës. Sipas, kryedemokratit, shumica socialiste nuk po lejon ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen McGonigal pasi “aty do të dalin në dritë aferat e tyre.”
“Kjo është një betejë për mbrojtjen e Kushtetutës. Kjo Kushtetutë në nenin e saj 70 garanton deputetët me mbledhjen e firmave, 28 firmave. Krijimin automatik të komisionit hetimor që këta 28 burra e gra gjykojnë se duhet të hetojnë. Na mohojnë të drejtën kushtetuese për komisionet se aty do të dalin lakuriq siç janë në aferat e tyre”, tha Berisha.
Duke iu drejtuar kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Berisha e paralajmëroi Ballën se ai dhe kryeministri Edi Rama do të jenë përgjegjës për çdo akt armiqësor ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare. “Sot Taulant Balla njoftoi vendimin që do japë gjykata me datë 3, unë i them meqenëse ti je i pari që njoftove vendimin, të betohem para këtyre burrave, se ti dhe Edi Rama do bëheni përgjegjës personal për çdo akt armiqësor ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare”.
Në protestë foli edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili gjithashtu tha se Rama po kërkon të shkatërrojë pluralizmin dhe se këtë e kanë kuptuar edhe vetë socialistët e ndershëm. “Ai është në një gjendje shumë të rëndë por edhe sepse e ka shuar edhe atë Parti Socialiste që ekzistonte. Shqipëria sot vuan nga kartonokracia. Kemi të bëjmë me një skizofren që, edhe një njeri i vetëm që e kundërshton, bën çmos që ta largojë. Ndaj mos u habisni që ai të përjashtojë të gjithë deputetët e opozitës aty. Ai kërkon ta shkatërrojë pluralizmin. Këtë e kanë kuptuar edhe socialistët e ndershëm”. (A2 Televizion)