Orëbërësi shqiptar i Zvicrës

Nga A2 CNN
25 Qershor 2023, 12:01 | Sociale
Orëbërësi shqiptar i Zvicrës

Zvicra, e famshme botërisht për paanësinë në luftërat botërore, sistemin bankar, malet, Heidin dhe kecat e saj, çokollatat dhe djathin. Por, nëse ka një gjë të cilën nuk e konkurron dot deri më sot asnjë vend tjetër janë orat.

Cilësia, standardi i pakrahasueshëm i mekanizmit, precizioni kirurgjikal i ingranazheve, punimi artizanal dhe garancia që do të zgjasë një jetë të tërë. Këto janë disa nga arsyet pse orët ‘swiss made’ konsiderohen jo vetëm më të mirat në botë, por madje rriten në vlerë vit pas viti më shpejt se ari, aksionet e bursave apo pronat e paluajtshme.

Pas brandeve të njohura e ikonike si Patek Philippe, Rolex, Audemars Piguet dhe Omega, meritë në sukses sot ka edhe një shqiptar. Ju prezantojmë me Sylejman Shaqirin.

“S’ka brand që nuk porosit pjesë tek ne”, thotë ai.

Nëse Gjeneva njihet si kryeqyteti botëror e orëbërësve, kantoni i Jurës përmban atë që njihet si Lugina e Orëve. Këtu është vendi ku orëbërësist zviceranë vijnë për të prodhuar zemrën e tyre, aty ku bëhen pa përjashtim mekanizmat më preçizë, që e lejojnë një orë të tregojë saktë kohën për sa kohë që bota të mbarojë.

Në qendër të luginës, ndodhet qyteti i Delemont, kryeqyteti helvet i mikromekanikës, shtëpia e një suksesi të jashtëzakonshëm të dy vëllezërve shqiptarë, Sylejman dhe Mensur Shaqiri.

“Duhet të kesh vullnet, ajo është kryesorja. Por duhet edhe pak fat dhe kompetenca”, thotë ai.

Të detyruar të emigrojnë familjarisht nga lugina e Preshevës në vitet ’90, familja Shaqiri u zhvendos në Jura, për t’u bërë ndër shqiptarët e paktë, në mos të vetëm, në të gjithë zonën.

“Kemi ardhur në vitin 1990, në fillim kanë qenë shumë vite të vështira për ne. Kemi qenë e vetmja familje shqiptare...”, kujton Sulejmani.

Fillimet e tyre si refugjatë, në një kulturë e gjuhë krejt tjetër, ishin të vështira e plot sfida, teksa u duhej çdo ditë të ecnin për orë të tëra për të shkuar në shkollë.

“Ngacmime me vëllain kemi pasur shumë... “Kthehu në shtetin tënd”, “Çfarë do këtu”.... Por shyqyr zotit kemi punu për të ngritur veten dhe për t’u ndjerë krenar se jemi shqiptarë që kemi arritur të krijojmë diçka në shtet të huaj", tregon Shaqiri.

Pasioni i vëllezërve Shaqiri për orat nisi në adoleshencë, gjatë kohës kur nisën punën për një kompani vendase, që prodhonte mekanizmat delikatë.

Fati kishte plane të tjera, teksa kompania ku punonin u shit dhe vëllezërit Shaqiri morën kurajon për të ndjekur ëndrrën për të ngritur një kompani të tyren. Por pa burime financiare për të blerë makineritë e shtrenjta që nevojiteshin, ishte këmbëngulja që solli klientin e parë.

Pavarësisht pengesave të para, përkushtimi i vëllezërve nisi të jepte rezultat. Tanimë, marka ikonike si Patek Philippe dhe Rolex u gjendën në dyert e fabrikës së shqiptarëve, për t’i kthyer në furnitorë të besuar.

Mikromekanika është një industri që e kërkuar jo vetëm për orët. Arsye pse vëllezërit Shaqiri kanë plane të mëdha për t’u zgjeruar.

Orëbërja, tregon Sylejmani, është kthyer në një dashuri, më shumë se punë, por që kërkon të gjithë vëmendjen e vëllezërve, që shpeshherë edhe mbrëmjeve shkëmbejnë biseda dhe ide.

Në biznesin familjar, është e angazhuar e gjithë familja dhe synimi është për ta trashëguar këtë pasion edhe tek brezi i ardhshëm, diçka që Sylejmani e vë re kur fëmijët vijnë në fabrikë.

Vizioni i Sylejmanit dhe Mensurit nuk përfundon këtu. Teksa ata prej pak vitesh janë angazhuar paralelisht në një kapitull të ri në sipërmarrjen e tyre: krijimi i një marke shqiptare orësh luksoze “swiss made”. Një martesë e përkryer e cilësisë zvicerane me dizajn dhe themele tek trashëgimia e kultura shqiptare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos