
I nxehti sapo ka filluar. Meteorologët parashikojnë që muajt korrik dhe gusht të regjistrojnë temperatura të larta në të gjithë territorin e vendit. Ndërsa mjekët e dinë që i nxehti i verës do të shtojë urgjencat mjekësore, por edhe rrezikun nga infraktet kryesisht për të sëmurët kronikë. Drejtori i urgjencës kombëtare, Skënder Brataj këshillon qytetarët veçanërisht të moshuarit të bëjnë kujdes më lëvizjet në orët e pikut të vapës.
Në zonat turistike të vendit janë hapur 30 qendra shëndetësore verore të cilat do të ofrojnë shërbim 24 orë për pushuesit. Ndërsa në Tiranë, urgjenca kombëtare pritet të aplikojë një model të ri të ndihmës së shpejtë. Ekipet e urgjencës do të lëvizin edhe më mjete më të vogla, makina dhe motorr, për të dhënë ndihmën e parë aty ambulanca e ka të vështirë për të hyrë.
Problemet kardiovaskulare dhe traumat nga aksidentet zënë vendin e parë për urgjencat mjekësore në verë. Mjekët thonë se më ardhjen e turistëve në këtë periudhe janë shtuar edhe urgjencat nga përdorimi alkoolit dhe substancave narkotike. (A2 Televizion)