
Deputetet e Partisë Socialiste kanë dorëzuar të hënën një kërkesë pranë kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, për të përjashtuar nga seanca plenare kryedemokratin Sali Berisha.
Kërkesa e deputeteve socialiste erdhi pasi kreu i demokratëve tha para mediave se disponon një video me përmbajtje erotike të ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal me zyrtare shqiptare.
Megjithatë, për deputeten e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, koleget e saj socialiste po gënjejnë me kërkesë të kryetarit të tyre, Edi Rama.
Sa i përket deklaratave të Sali Berishës, e ftuar në “Ditar” në A2 CNN, Kryemadhi tha se deklaratat ish-kryeministri nuk i bëri në Parlament, por në selinë blu dhe, sipas saj, deputetet nuk mbajnë përgjegjësi për ato që thonë jashtë foltores së Kuvendit.
“Tregojnë që janë gënjeshtare. Është shumë e rëndë për një grua të jetë gënjeshtare. Çdo ministre, deputete socialiste ka jetën e tyre private. Nuk janë as të parat e as të fundit që mund të kenë historitë rozë. Ky është një justifikim, një provokim."
Ndërsa, e pyetur nëse opozita do të vijojë të organizojë protesta të tjera kombëtare, Kryemadhi pohoi se iniciativa të tilla mund të vijojnë pasi “McGonigal ishte vetëm indicia e gjithë procesit.”
Kujtojmë se pasditen e së hënës 27 deputetë socialistë kërkuan përjashtimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës.
Ishte deputetja Anila Denaj, e cila bëri zyrtarisht kërkesën për përjashtimin e Berishës, pasi sipas saj, ai përdori fjalë të rënda duke iu referuar ish-zyrtarit të FBI-së dhe zyrtareve shqiptare. (A2 Televizion)