Presidenti francez, Emmanuel Macron, përcaktoi kursin e diplomacisë së tij në këtë sezon të ri politik. Një rekomandim në formën e një paralajmërimi lëshoi dhe në drejtim të Kosovës dhe Serbisë gjatë fjalës së tij të mbajtur me rastin e konferencës vjetore të ambasadorëve.
Macron nënvizoi rëndësinë e përqafimit të propozimit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve, por gjithashtu kërkoi formimin e asociacionit nga Kosova, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri, riangazhimi i serbëve në institucionet e Kosovës dhe rikthimin e qetësisë pas tensioneve.
“Sa i përket dallimeve mes Kosovës dhe Serbisë, unë besoj që ky është një udhërrëfyes i mirë, është përkrahur nga negociatorët europianë dhe përfaqësuesit tanë, kështu që ne kërkojmë angazhim të plotë nga të dyja palët”, tha Macron.
Nuk i kurseu as paralajmërimet me pasoja serioze për të dyja palët nëse refuzojnë planin për normalizimin e raporteve.
“Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështjeve të tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.”
Gjatë fjalës së tij, Macron shprehu dhe gatishmërinë për të mbështetur zgjerimin e shpejtë të Bashkimit Europian, me pranimin e vendeve të reja anëtare, si një masë për të luftuar dobësimin e Europës. “Rendi ynë botëror po sfidohet”, tha mes tjerash presidenti francez. (A2 Televizion)
