Osmani konsultohet me partitë, Kurti: Zgjedhjet të zhvillohen sa më parë

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2020, 18:39 | Kosova
Osmani konsultohet me partitë, Kurti: Zgjedhjet të zhvillohen sa

Ushtruesja e detyrës së presidentit në Kosovë, Vjosa Osmani, priti në takime konsultuese për datën e zgjedhjeve liderë dhe përfaqësues të partive politike. I pari që iu paraqit në zyrë ishte, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai tha se nuk diskutuan për një datë konkrete, por kërkoi që votimi për parlamentin e ri të zhvillohet sa më parë që të jetë e mundur.

“Pra, ne na duhet që ta marrim njëherë aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe varet nga data kur të vije ai aktgjykim i plotë si palë që jemi në këtë çështje, e cila tashmë është zgjidhur, por nuk e ka përgjigjen e plotë që të jetë aktgjykim i plotfuqishëm. Pas kësaj, do të mund të shpallet data e zgjedhjeve, nga ushtruesja e detyrës  së presidentes, në një hark të caktuar kohor, siç e parasheh Kushtetuta. Mirëpo, në atë hark kohor, në datën, e cila është sa më herët e mundshme, jemi të interesuar që të mbajmë zgjedhjet e reja të parakohshme në Republikën e Kosovës, meqenëse që kemi humbur kohë dhe na nevojitet të ecim sa më shpejtë”, tha Kurti pas takimit.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk u paraqit kryetari Isa Mustafa, por në vend të tij, në Presidencë u shfaq ministri Arban Abrashi. Ai tha se LDK do të garojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme dhe shënoi një datë për mbajtjen e tyre.

I treti në Presidencë mbërriti përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Ai tha se fundi i janarit është periudhë e përshtatshme për zgjedhje të reja.

Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, pas takimit me presidenten në detyrë, Vjosa Osmani, uroi qytetarët për zgjedhjet e reja. Ndërkohë, takimet konsultuese të Osmanit erdhën pasi Gjykata Kushtetuese shpalli Qeverinë Hoti jokushtetuese dhe konstatoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja brenda 40 ditësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos