
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i hap rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Ai bëri me dije se do të qëndrojë në detyrë deri në caktimin e një ekzekutivi të ri, ndërsa kërkoi nga partitë e tjera politike që të votojnë buxhetin për vitin 2021 përpara shpërndarjes së parlamentit.
Hoti nuk i mbylli derën e bashkëpunimit Lëvizjes Vetëvendose, ndërsa tha se rrugët e Lidhjes Demokratike të Kosovës me Vjosa Osmanin janë mbyllur njëherë e mirë.
Sa i përket emrit për kandidat për kryeministër nga radhët e partisë së tij, Hoti tha se ai do të vijë përmes konsultimeve brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai nënvizoi se qeveria e tij do të mbahet mend për shumë arritje, ndër të cilat përmendi vetëm menaxhimin e mirë të pandemisë koronavirus. (A2 Televizion)