Osmani në PE: Kosova e njeh vuajtjen e Ukrainës, liderët e BE-së të marrin vendime të guximshme

Nga A2 CNN
14 Qershor 2023, 12:26 | Kosova
Osmani në PE: Kosova e njeh vuajtjen e Ukrainës, liderët e

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është adresuar me një fjalim deputetëve të vendeve anëtare të BE-së në Parlamentit Evropian.

Përveç vendosjes së theksit tek arritjet dhe sfidat e Kosovës për rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE, Osmani u ndal edhe te lufta në Ukrainë duke nënvizuar se ndodhemi në një moment ku nevojitet unitet mes liderëve të Perëndimit.

Sfidat morale si ato që shohim me agresionin ndaj Ukrainës nuk kanë nevojë për debate, pasi reagimi duhet i menjëhershëm. Uniteti i BE-së ka qenë i paprecedentë, por që duhet të shkojmë më tej dhe të sigurojmë fitoren e Ukrainës dhe paqen e drejtë.

Ky moment kërkon që liderët të bëhen bashkë dhe të marrin vendime të guximshme. Edhe pse nuk është e lehtë ka nevojë për bashkëpunim më të madh. Duhet të na bashkojnë vlerat. Secili prej nesh duhet të luajë rolin e tij”, tha Osmani.

Presidentja theksoi se populli i Kosovës e kupton më së miri dhimbjen e popullit ukrainas, ndaj bëri thirrje që Europa të përkushtohet në mënyrë që Ukraina të fitojë luftën.

Populli i Kosovës e imagjinon vuajtjen e Ukrainës. Nuk duam ta imagjinojmë humbjen e saj. Kur ne themi që qëndrojmë pranë Ukrainës, e ndjejmë në çdo fije të qenies sonë. 24 shkurti ishte një ditë e zezë për Evropën dhe Ukrainën, por kujtim i jetuar për ne që nuk donim ta përjetonim më. Sot qëndrojmë përkrah Ukrainës. Jemi të përkushtuar për paqe. I detyrohemi Ukrainës, Evropës, duhet të dëshmojmë solidaritetin.

Kosova është e gatshme për të bërë gjithçka për të mbështetur Ukrainën. Ishim vendi i parë që vendosëm sanksione ndaj Rusisë dhe gjithnjë kemi kërkuar si të ndihmojmë më shumë”, u shpreh ajo.

Vizita e Osmanit në Strasburg vjen në një kohë tensionesh në veri të Republikës së Kosovës dhe paralajmërimeve për një pako sanksionesh ndaj Kosovës nga BE-ja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos