
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në një seancë të kuvendit të Kosovës, falenderoi kryeministrin Rama për fjalimin e tij në Këshillin e Europës në mbrojtje të ish-krerët të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Në po të njëjtën seancë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, kritikoi qeverinë duke thënë se ka rritur me 30 përqind importet me Serbinë dhe ka zvogëluar me 10 për qind ato me Shqipërinë.
“Faleminderit Edi Rama. Faleminderit kryeministër i Shqipërisë, t’i nderove gjithë shqiptarët që e duan atdheun dhe vlerësojnë historinë e tyre të lavdishme. Bartësit e institucioneve tona fali. Fali për heshtjen e tyre inaçore sepse edhe ashtu gjithmonë janë rreshtuar dhe vonuar në drejtimin e kahjes së drejtë të historisë tonë kombëtare”, tha Ganimete Musliu, deputete PDK.
“Nëse shihen importet vetëm me vendet e regjionit, po e marr vetëm muajin gusht të këtij viti krahasuar me gushtin e vitit paraprak keni me e pa që nga Shqipëria janë zvogëluar importet për 10% por nga Serbia janë rritë me 30%. Edhe ju keni me thënë këtu që është ekonomi e hapur, Kosova ka ekonomi të hapur, ka ekonomi të tregut, në rregull pro ka pasur ekonomi të tregut edhe ku i keni përmbysur kamionët me mallra që vinin nga Serbia”, tha Avdullah Hoti, deputet i LDK. (A2 Televizion)