
Këshilli i Bashkimit Evropian, në mbledhjen me dyer të mbyllura propozoi që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.
Lajmi bëhet i ditur nga radio “Evropa e Lirë”, e cila bën me dije se ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera, ai Suedia, Belgjika, Holanda dhe Spanja.
Presidenca çeke e BE-së tha se është e domosdoshme që të qartësohen edhe disa çështje, për të çuar për paraliberalizimin e vizave. Megjithatë, ajo nuk e ka specifikuar se për çfarë çështjesh bëhet fjalë. Përmes një deklarate të publikuar pas debatit të mbajtur nga grupi punues për vizat në këtë Këshill, Presidenca Çeke u shpreh se diskutimi duhet të vazhdojë.
ETIAS është sistem evropian krejtësisht elektronik për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit dhe mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kane nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen, ku kërkohet emri, vendi i lindjes, gjinia, kombësia dhe secili që plotëson formularin duhet të ketë pasaportë, e-mail dhe një kartelë krediti për të kryer pagesën simbolike për këtë dokument.
Më tej, dokumenti ETIAS rishikohet nga roja kufitare e shtetit që merr vendimin final për hyrjen potenciale të udhëtarit në një vend të Zonës Schengen.
Përtej teknikaliteteve duket se procesi i liberalizmit të vizave për Kosovën mbetet në vend numëro duke shpikur elemente te reja, të cilat mund të ishin diskutuar para tryezës.
Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 - pa ndonjë datë të saktë. Komisioni Europian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018. (A2 Televizion)