Propozimi i ri për dialogun, kërkohet transparencë dhe konsensus me opozitën në Kosovë

Nga A2 CNN
15 Tetor 2022, 13:23 | Kosova
Propozimi i ri për dialogun, kërkohet transparencë dhe konsensus

Opozita dhe shoqëria civile në Kosovë kërkojnë nga qeveria më shumë transparencë dhe konsultim për të arritur konsensus kombëtar për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Kjo vjen pas konfirmimit nga krerët institucional të ekzistencës së nismës franko-gjermane për fazën finale të dialogut Prishtinë-Beograd.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, thotë se çfarëdo lloj zgjidhjeje që të diskutohet, duhet të ketë në qendër njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial të Kosovës.

“Ajo çka kërkojmë nga zotëri Kurti është që të jetë transparencë në procesin e dialogut, pasi po shohim se kjo qeveri është më jotransparentja sa i përket procesit të dialogut. Tash duhet të bëhet publike (propozimi për kornizë të re të dialogut)”, tha Time Kadrijaj, deputet e AAK.

Njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci, thotë se ka një qasje serioze nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara për negociatat Prishtinë-Beograd, ndërsa ngre dhe një alarm. “Njohja si duket është shtyrë për një afat më të mëvonshëm sipas propozimit gjerman dhe duket se palët, sidomos ndërmjetësi i BE-së po luan rolin e përafrimit të qëndrimit mes dy palëve”, u shpreh Gazmir Raçi, njohës i procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Raci këshillon një bashkëpunim më të ngushtë të qeverisë me opozitës lidhur me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

“Do të ishte mirë që ky draft në Kosovë të diskutohet edhe me liderët kryesor të opozitës në Kuvendin e Kosovës. Njëkohësisht edhe me një pjesë të shoqërisë civile që e monitorojnë dialogun e Brukselit për të pasur një konsensus nacional për çfarëdo lloj teme që dërgon drejt marrëveshjes finale”.

Së fundmi, kryeministri I Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi që ekziston një nismë franko-gjermane për fazën finale të dialogut me Serbinë, por nuk zbuloi shumë detaje. Për bisedimet mes dyja vendeve, emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë të enjten e kaluar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos