
Me qëllimin e krijimit të një kulture të re të konsultimit dhe respektimit të memories insitucionale, siç u shpreh, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani priti në takim ish-presidentët, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe Atifete Jahjaga.
“I kam ftuar që të tre për të ndërtuar një kulturë të re institucionale të respektimit të memories dhe traditës institucionale. Kjo është e domosdoshme nëse dëshirojmë që shteti ynë të ecë përpara duke mësuar ata që i kanë shërbyer shtetit, qoftë këtij institucioni, qoftë institucione të tjera në periudha të ndryshme”, u shpreh Osmani.
Zgjedhjen e Osmanit në krye të shtetit, ish-presidenti Fatmir Sejdiu e cilësoi si diçka të mirë, ndërsa kërkoi bashkëpunim institucional të institucionit të Presidentit me Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë.
“Mendoj që është një zgjedhje e mirë. Natyrisht Kosova tash e sa kohë është me peripeci në proceset zgjedhore, por që ka marrë mbështetjen e institucionit më të lartë të vendit”, u shpreh ai.
Ndërsa, gruaja e parë presidente, Atifete Jahjaga tha se Osmani është zgjedhja e duhur për qytetarët dhe veçanërisht për avancimin e rolit të gruas në Kosovë.
“Jeni duke vazhduar një traditë jashtëzakonisht të mirë të konsultimit dhe koordinimit edhe me ish-presidentët. Ky është funksioni edhe detyra e presidentit të vendit. Jeni zgjedhja e duhur në momentin e duhur për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës, veçanërisht për gruan e Kosovës, kemi shumë punë për të bërë së bashku”, u shpreh ajo.
Ish-presidenti tjetër Behgjet Pacolli u shpreh se Kosova ka një përfaqësim dinjitoz, dhe i premtoi Osmanit mbështetjen e tij. (A2 Televizion)