Osmani vlerëson Metën: Në të gjitha sfidat keni qenë krah nesh

Nga A2 CNN
22 Korrik 2022, 11:12 | Politikë
Osmani vlerëson Metën: Në të gjitha sfidat keni qenë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar rolin e presidentit Ilir Meta për mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Kosovës. Në konferencën për shtyp pas takimit me kreun e shtetit shqiptar, Osmani theksoi se ai ka qenë zëri edhe i Kosovës në sfida të rëndësishme.

“Kosova ka qenë dhe do të mbetet shtëpia juaj e dytë prandaj jeni të mirëseradhur. Një muaj më parë shtetet tona nënshkruan 19 marrëveshje. Është më se e nevojshme që ato të zbatohen edhe në praktikë për ta forcuar edhe më shumë bashkëpunimin. Agjenda jonë mbetet e fokusuar në konsolidimin edhe më tej në pozicionin tonë si shtet i pavarur dhe sundimin e ligjit. Objektivi ynë i qartë mbetet anëtarësimi në BE dhe në NATO. Kosova po përgatit aplikimin e saj për statusin e vendit kandidat në BE deri në fund të këtij viti. Kosova e ka të qartë orientimin europian, Kosova do të mbetet në anën e drejtë të historisë, si edhe tani, në kohë sfiduese për kontinentin tonë. Jemi të vendosur të kontribuojmë për paqen e stabilitetin. Kosovën dhe Shqipërinë i bashkon shumëçka, por ajo që na bashkon më shumë është e ardhmja euroatlantike. Kur Kosova të anëtarësohet në këtë aleancë do të rritet niveli i sigurisë, paqes e stabilitetit në rajon. Në emër të të gjithë qytetarëve ju faleminderit për ndihmën që i keni dhënë Kosovës. Sot është 12-vjetori i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sa i përket pavarësisë së Kosovës, vendim që  vulosi pavarësinë dhe integritetin territorial. Këtë projekt do ta mbrojmë me çdo kusht. Faleminderit që në të gjitha këto rrugë keni qenë krah nesh”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos